Lajme

Ishte vetëm 8 vjeçar gjatë luftës – Specialja e thërret Fahri Fazliun për të dëshmuar


Fahri Fazliu, nipi i heronjve Fahri e Bahri Fazliu

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Fahri Fazliu nipi i heronjve Fahri e Bahri Fazliu, ka thënë se ka marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale, edhe pse në kohën e luftës ishte vetëm tetëvjeçar.

“Dje pasdite më ndodhi diçka shumë e çuditshme dhe e papritur – mora Ftesën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të paraqitem në Hagë, me 23 qershor 2021, në cilësinë e dëshmitarit. Unë në luftë isha vetëm 8 vjeç”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, shtatë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ata akuzohen për një sërë veprash, nga ato për frikësim të dëshmitarëve që rëndojnë mbi ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës e deri te vrasjet dhe trajtimi mizor i njerëzve, për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa.

Arrestimet e para nga Gjykata Speciale u bënë në fund të shtatorit, kur në Hagë u dërgua ish-shefi i Inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-epror i UÇK-së, Sali Mustafa, mbi të cilin rëndojnë akuza për “krime lufte”, dhe “pjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Pastaj më 25 shtator u arrestuan edhe krerët e Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj, me akuzën se zbuluan informacione të cilat janë të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Me 5 nëntor u arrestuan edhe anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep selimi.

Për Thaçin dhe Veselin prokuroria pretendon se janë “përgjegjës për afro 100 vrasje”.

Mbi të paraburgosurve rëndojnë akuza për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore