Kosova

Ish-zëvendësi i MPJ-së Berisha pas publikimit të planit franko-gjerman nga AP: E vetmja zgjidhje racionale, ndryshe bëhemi konflikt i ngrirë


Anton Berisha

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, propozimi franko-gjerman, i publikuar së fundmi nga Albanian Post, ku parashihet se Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës, derisa Kosova do ta pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin, duhet të merret shumë seriozisht në të kundërtën mospajtimi Kosovë-Serbi mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë të tipit palestinez.

Sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Slloveni, drafti franko-gjerman, të cilin Albanian Post e ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene sa gjithsejtë ka ky propozim, po përkrahet dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është përpiluar nga dy shtetet më serioze dhe më me peshë të Bashkimit Evropian.

“Ana përmbajtjesore e dokumentit dhe garantuesit përbejnë shtyllën e zgjidhjes, përderisa pjesa e mirëbesimit është praktikë e mire në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me një fjale, propozimi duhet të merret me seriozitetin më të madh dhe me qasje pozitive. Kosova, në qoftë se ka synim integrimin euro-atlantik, duhet të negociojë seriozisht dhe pa hile, të respektoj standardet evropiane për komunitetet duke përfshirë edhe Asociacionin, dhe kështu të zhbllokohet nga gjendja de facto e ngrirë. Nëse jo, atëherë do të shndërrohemi në konflikt të ngrirë të tipit palestinez”, ka thënë Berisha për Albanian Post.

“Propozimi dhe garantuesit janë serioz, Kosova duhet të negociojë seriozisht dhe me qëllim të mirë, me qasje evropiane dhe të marr parasysh këshillat e ShBA-së dhe BE-së. Në fakt, nuk ka zgjidhje tjetër racionale”, ka shtuar ai.

Ndryshe Albanian Post më 12 nëntor ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene të propozimit franko-gjerman.

Propozimi apo marrëveshja e publikuar në Albanian Post e ka emërimin “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Sipas këtij drafti nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore