Lajme

Ish-zëvendës-ministri i MPJ-së për dokumentin franko-gjerman: Disa elemente janë te pranueshme


Valon Murtezaj

Për profesorin e negociatave ndërkombëtare dhe diplomacisë në Universitetin francez “IÉSEG”, Valon Murtezaj, propozimi franko-gjerman, i publikuar së fundmi nga Albanian Post, ku parashihet se Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës, derisa Kosova do ta pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin, nuk mund të hidhe tërësisht nga dritarja.

Sipas ish- zëvendës-ministrit të jashtëm të Kosovës, disa elemente të versionit të propozimit franko-gjerman, të cilin Albanian Post e ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene sa gjithsejtë ka ky draft, janë të pranueshme.

“Disa elemente të versionit që po shohim janë të pranueshme, dhe tregojnë që po flitet për dy subjekte shtetërore të barabarta. Por, në anën tjetër vëmendja duhet të jetë për dokumentin si tërësi, pra përfshirjes së njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe rregullimit të brendshëm dhe funksional të Kosovës si shtet”, ka thënë Murtezaj për Albanian Post.

“Po ashtu aspekte të rëndësishme për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë e përgatitur për negocim ka të bëjë me garancitë dhe proceset lidhur me njohjet nga 5 vendet e BE-së si dhe potencialit për anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, pra në sistemin ndërkombëtar multilateral”, ka shtuar ai.

Ndryshe Albanian Post më 12 nëntor ka publikuar në tërësi, ku të përfshirë janë 9 nene të propozimit franko-gjerman.

Propozimi apo marrëveshja e publikuar në Albanian Post e ka emërimin “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.

Sipas këtij drafti nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore