Lajme

Ish-prokurori Blakaj: Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng në sistemin prokurorial e gjyqësor


Ilustrim.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj përmes rrjetit social Facebook ka reaguar në lidhje me kundërshtimet që po i bëhet procesit të reformave në drejtësi, e më saktësisht Vettingut, duke thënë se Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i individëve që janë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Blakaj u shpreh se me gjithë respektin për shumë ish-kolegë prokurorë dhe gjyqtarë nuk mund t’i lejohet që ta keqpërdorin punën e tyre.

“Sot, Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i disa individëve të cilët janë pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, faturën e të cilëve po e paguan Kosova padrejtësisht, e më këtë qasje, përkrahja dhe ndihma e miqve e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të vazhdojë përgjithmonë, nëse ne nuk e ndihmojmë vetën”, shkruan Blakaj.

Sipas tij rregullat kanë kuptimin e tyre vetëm atëherë kur ato zbatohen.

“Si ata të cilët janë PËR apo KUNDËR këtyre reformave, e dinë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmban çdo normë dhe standard ndërkombëtar i cili garanton plotësisht pavarësinë dhe funksionimin e plotë të sistemit gjyqësor”.

Ndërkaq, tutje ai shprehet se pavarësia nuk do të arrihet në asnjë rrethanë nëse ne nuk sillemi si të tillë.

“Pavarësisht se Kushtetuta e vendit e thotë dhe e konfirmon,… e kotë është!  Pra, në esencë  këtu problemi është se nuk po zbatohet rregulla dhe parimi,  andaj është gjithë ky reagim dhe mospajtim”.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj

Ish-prokurori Blakaj shton se, “nuk ka e as nuk do të duhet të ketë “pavarësi absolute”, për ata të cilët me vendimet e tyre kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë se NUK janë të pavarur e të paanshëm dhe nuk qajnë kokën shumë për zbatim të procedurave dhe ligjit, fatkeqësisht”.

Të enjten, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj në intervistën e publikuar në faqen e Këshillit Gjyqësor në Facebook deklaroi se “KGjK-ja ka marrë pjesë në grupin punues për koncept-dokumentin e Vettingut, duke  paraqitur një analizë të tërësishme  lidhur me çështjet gjyqësore që duhet të adresohen por përmes mekanizmave të brendshëm të KGjK-së por kjo përgjigje fare nuk është marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë”.

Këshilli Gjyqësor do ta diskutojë ftesën e Ministrisë së Drejtësisë për amendamentet kushtetuese dhe ligjet e tjera.

“Përfundimisht ne kemi vendosur që të mos marrim pjesë në këtë proces dhe arsyeja qëndron në faktin se është një proces krejtësisht i paragjykuar”, tha Zogaj.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore