Kosova

Ish-kryetari i Bordit të Trustit: Mos e shkatërroni këtë institucion


Ilustrim

Ish-kryetari i Bordit të Trustit dhe profesori i ekonomisë, Ymer Havolli, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë një tërheqje të re nga Trusti, me pretekstin se lejimi i një tërheqjeje të dytë do ta shkatërrojë këtë institucion.

Ai madje ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të gjejnë alternativa të tjera për ta mposhtur këtë krizë ekonomike që e ka kapluar vendin.

“Nuk bëhet zgjidhje e problemeve sociale me pronë të huaj. Deputetë, ju jeni përgjegjës me hap perspektivë, jo me cenu të drejtën e kursyesve, gjoja se po bëni punë të ‘madhe’. Nesër, kur këtë institucion kredibil ta shndërroni sikur të gjitha të tjerat, rruga e vetme mbetet ta sulmoni njëri-tjetrin e të gjeni fajtorin. Ndërkaq, ky institucion do të shndërrohet në lengatë që s’do i gjeni ilaçin”, ka shkruar Havolli në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Ndryshe me pesë vota për, pesë kundër dhe një abstenim, nuk u miratua iniciativa për tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trust-it pensional në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje u shpreh kundër. Njëashtu dhe deputetja Duda Balje nga GP 6+ abstenoi.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahën plotësim-ndryshimin për projektligjin e Trust-it.

Ky projektligj shkon në Kuvend edhe pa aprovimin e Komisionit.

Avdullah Hoti u shpreh pro nismës. Inflacioni i madh, tha ai, e bën të nevojshëm një gjë tillë.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, tha Hoti.

“Ky projektligj do të ndikojë në buxhetin e Qeverisë 13.5 milionë euro kur thuhet në vendimin e Qeverisë kjo është anomali. Nuk ndikohet fare buxheti i Kosovës për këtë tërheqje”, tha Hoti.

Edhe Pal Lekaj nga AAK tha se do të mbështesin iniciativën.

“Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, tha ai.

Ndërkaq Armend Muja u shpreh rreptësishtë kundër iniciativës.

“Do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në Kuvend, përpjekjen për ta parandaluar shkatërrimin e Trustit nuk do ta ndalë”, tha Armend Muja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore