Lajme

Ish-kryeministri serb Gjingjiç kishte propozuar Asociacion të Komunave Serbe në vitin 1999, Millosheviç e kishte refuzuar idenë


Zoran Gjingjic, ish-kryeminister i Serbise

Duke analizuar negociatat në Rambuje, në shkurt të vitit 1999, politikani serb Zoran Gjingjiç kishte dhënë një ide për një “ndarje të re komunale” si zgjidhje, e cila në fakt përfaqësonte versionin e parë të njëfarë lloji të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Por, këtë zgjidhje presidenti i atëhershëm i Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç, nuk e kishte marrë parasysh.

“Nëse nuk zgjidhet rasti i Kosovës, do të ndizen pika të tjera të nxehta”, titullohet intervista që Zoran Gjingjiç, kryetar i Partisë Demokratike atëherë, i kishte dhënë Danasit dhe gazetares Natasha Bogoviç, në numrin e fundjavës së 27 dhe 28 shkurt 1999 në mes të negociatave në Rambuje.

Në atë bisedë, ai analizon shtrirjen e negociatave dhe si zgjidhje ofronte “Komunat serbe në Kosovë”, ide shumë e ngjashme me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilën po negociohet sot.

Në intervistë ai fliste fillimisht për qasjen e Millosheviç-it në negociata.

“Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar ka blerë kohë për të ushtruar presion të mëtejshëm, mbi të gjitha ndaj shqiptarëve. Nuk besoj se cilësisht mund të ndodhë asgjë, sepse negociatorët janë definitivisht të paaftë për të arritur ndonjë kompromis dhe nëse do t’u jepeshin njëqind vjet për të negociuar, ata do të ktheheshin në fillim”, thoshte Gjingjiç.

“Millosheviç-i preferon Serbinë si Irakun në Evropë, gjëja më e rëndësishme për të është se çfarë ndikimi do të kenë ngjarjet në Kosovë në qeverinë e tij në Serbi, dhe jo se si duhet të funksionojë qeveria e tij për t’i përmirësuar gjërat në Kosovë. Nëse trupat e huaja vijnë në Kosovë, është në interes të qeverisë së tij që Kosova të ndahet nga Serbia dhe që trupat e huaja të mos kenë ndonjë ndikim përtej kufijve të Kosovës, sepse kjo do ta rrëzonte në planin afatgjatë qeverinë e tij”.

Intervista e Gjingjic per Danas

“Millosheviç-i mund të thërrasë çfarë të dojë, por në këtë rast, si në politikën e tij, do të vendosë forca. Diplomati Richard Holbrooke nuk u zgjodh rastësisht si psikoterapist personal i Millosheviç-it, sepse ai futi forcën në marrëveshje. Sekreti i vetëm është se kush është i gatshëm të përdorë forcë më të madhe, nëse Millosheviç-i është gati të ngulmojë deri në fund si Sadam Huseini”.

Ndërsa “Komunat serbe në Kosovë” titullohet pjesa në të cilin Gjingjiç propozonte zgjidhje.

“Ekipi i Partisë Demokratike, në bashkëpunim me lëvizjen e rezistencës serbe nga Kosova, Kishën Ortodokse Serbe, krijuan versionin e vet të zgjidhjes së problemit të Kosovës, i cili përfshin kantonizimin. Është bërë një hartë sipas regjistrave të tokës, e cila pjesërisht përkon me përbërjen etnike të popullsisë. Ne kërkojmë ndarje të re komunale, sepse mendojmë se autonomia do të bazohet në vetëqeverisjen lokale komunale dhe dëshirojmë që vendbanimet serbe të formojnë komuna që do të lidhen drejtpërdrejt me Republikën e Serbisë përmes vetëqeverisjes së tyre”.

“Kjo do të ishte një arsye që serbët të qëndrojnë në Kosovë, pasi ata nuk do të prekeshin shumë nga sistemi i vetëqeverisjes lokale të propozuar nga Grupi i Kontaktit. Kjo do të arrinte një fitim të dyfishtë, popullsia serbe do të merrte organet e veta të autonomisë dhe nuk do të majorizohej për sa i përket gjyqësorit, policisë dhe gjithçkaje që do të ketë si pushtet lokal. Do të sigurohej një lidhje e drejtpërdrejtë me Republikën, pasi në këtë fushë do të zbatohej legjislacioni i Republikës”, shpjegonte Gjingjiç.

“Unë fola me Christopher Hill-in dhe Wolfgang Petritsch-in dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit, të cilët ishin mirëkuptues dhe thanë se kjo nuk i shqetësonte, por ishte e rëndësishme që ata të vendosin disa të drejta për shqiptarët atje. Natyrisht, ata mendojnë se duhet të vendosen disa të drejta edhe për serbët… Millosheviç-i këmbëngul se të gjitha bashkësitë kombëtare janë të barabarta, vëllazëri dhe bashkim, nuk ka kombe, sepse komunizmi i tij manipulues mbështetet në fraza të karakterit të përgjithshëm që të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe pas kësaj fasade vendoset një marrëdhënie reale pushteti që nuk është e institucionalizuar sepse nuk njihet”.

“Kështu që Millosheviqi, duke u përpjekur të sjellë vëllazëri dhe bashkim mes egjiptianëve, malazezëve, serbëve, myslimanëve, shqiptarëve, turqve… do të bëjë që serbët të madhërohen, sepse në realitet do të dominojnë 90 për qind të shqiptarëve”.

“Serbët nuk do të mbrohen sepse Millosheviç-i nuk do të pranojë se janë pakicë në Kosovë, Millosheviçi nuk pranoi ta përfshijë atë në propozimin serb, por mendoj se Artemije ia doli të përfshijë një ide të ngjashme në planin e Grupit të Kontaktit në Uashington”, përfundon sqarimi i Gjingjiç për idenë e tij për komunat serbe.

Siç shihet, ideja e tij ishte që Kosova të fitojë status të veçantë brenda Serbisë, por më pas edhe komunat serbe të fitonin autonominë e tyre brenda Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore