Lajme

Ish-kryeinspektori i MD-së: Dehari edhe më herët kishte tentuar të bënte vetëvrasje – opinioni duhet ta di


Ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, një ditë pas shkarkimit nga MD-ja ka thënë se ish aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kishte tentuar të bëjë vetëvrasje edhe më herët.

“Në dhomë janë gjetur bica të rrojës, që praktikisht nuk guxojnë me pas bica, sepse i ndjeri ka tentuar njëherë me bica të bëjë vetëvrasje, ta pres veten, është e rëndë për opinionin publik, por opinioni duhet ta di, shenjat janë. Pastaj prej momentit kur një i burgosur vendoset vetë në dhomë, oficerët janë të obliguar të shkojnë kohë pas kohe, ose duhet të qëndroj dikush brenda”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.

Po ashtu Topalli ka theksuar se pas vdekjes së Deharit, janë gjetur shumë shkelje procedurale nga zyrtarët korrektues.

“Ka pasur një sërë shkeljesh procedurale të imëta, për të cilët kemi gjetur fajtorë zyrtarët korrektues. Nuk kemi gjetur në asnjë element, diçka që e ka nxitë të ndjerin për të ndërmarrë ndonjë veprim, ndonjë ngacmim prej stafit, ose presion prej stafit”, shtoi ai.

Por, MD-ja një ditë më parë e shkarkoi Topallin, derisa në vendimim thuhet se Topalli “dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”.

“Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin. Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport.

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte dalë në një konferencë për medie, duke treguar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti”, kishte njoftuar Haxhiu.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut, ishin vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”.

Po atë ditë, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i kishte thënë Albanian Post se tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për rastin Dehari, pas konferencës së ministres së Drejtësisë.

“Tashmë me këtë rast është duke u marrë prokuroria”, kishte thënë shkurt Kelmendi.

Me vendim të ministres Haxhiu, ishin pezulluar nga puna 4 zyrtarë të Institutit të mjekësisë Ligjore. Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Nardi Sheqergjiu, toksikolog, Anila Lakna, teknike dhe Ilirjana Shala, kimiste.

Dy muaj pas rastit, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në një konferencë për medie kishte treguar se laboratori i toksikologjisë monitorohet nga kamerat e sigurisë dhe ato ekzistojnë.

Duke kërkuar që për këtë rast prokuroria të intervistoj kryeministrin Albin Kurti, ministren Albulena haxhiu e zyrtarë të tjerë.

Më 19 shkurt, Komisioni i Ankesave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) kishte marrë vendim që personat e suspenduar në rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, të kthehen në vendin e tyre të punës.

Ndryshe, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore