Sport

Ish-boksieri malazez akuzohet për trafik droge me vlerë 1 miliard dollarë


Goran Gogic/ Photo: Getty

Ish-boksieri malazez i peshave të rënda, Goran Gogic është akuzuar për trafik kokaine me vlerë mbi 1 miliard dollarë nëpërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

43-vjeçari u arrestua teksa po përpiqej të merrte një fluturim nga Miami për në Cyrih mbrëmjen e së dielës.

Ai u padit nga një juri e madhe në New York pas një prej kapjeve më të mëdha të drogës në historinë e SHBA-ve.

Mbi ish-boksierin rëndojnë katër akuza. Tre janë për shkeljen e Aktit të Zbatimit të Ligjit për Drogën Detare dhe një tjetër për komplot. Secila më vete ka një dënim minimal prej 10 vitesh.

Photo: Getty

Por, ai mund të marrë një dënim të përjetshëm pasi problemet e tij me drejtësinë amerikane janë të përsëritura. Tre vite më parë ai u akuzua për trafikimin e 22 tonëve kokainë me anije mallrash në Philadelphia.

Prokuroria pretendon se portet amerikane po përdoreshin për transportimin e kokainës mes Evropës dhe Kolumbisë.

Thuhet gjithashtu se Gogic kujdesej për logjistikën, duke u koordinuar me të gjitha palët në emër të karteleve të tij në Evropë.

Gogic, në karrierën e tij profesioniste si boksier numëron 27 ndeshje në peshën e rëndë midis 2001 dhe 2012. Ai i “vari” dorezat me një rekord prej 21 fitoresh, katër humbje dhe dy barazime.

Ish-boksieri doli për herë të fundit në ring në korrik 2012, kur mposhti 2-17, rumunin Liviu Ungureanu në Gjermani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore