Kosova

Ischinger, Kurtit dhe Vuçiç’it: Keni një mundësi historike, tregoni guxim dhe lidership


Wolfgang Ischinger

Wolfgang Ischinger i cili ka qenë dikur – në vitin 2007 – në këpucët e Miroslav Lajçakut, si ndërmjetëses në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një editoriali në prestigjiozen amerikane, Politico, në prag të takimit të 18 marsit në Ohër, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të largohen në mënyrë rrënjësore nga politikat dhe parimet e tyre dhe të fokusohen në të ardhmen.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka bërë që arkitektura ekzistuese e sigurisë evropiane të shpërbëhet, si rezultat i kësaj, ka argumentuar Ischinger, Gjermania – si një nga shtetet më të dëmtuara për shkak të lidhjeve të saj të gjata energjetike dhe tregtare me Rusinë – është dashur të përshtatej me epokën e re duke adoptuar një “Zeitenwende” që në shqip i bie pikë kthese, pra një largim rrënjësor nga politikat dhe parimet e së kaluarës.

“Një ‘Zeitenwende’ e ngjashme nevojitet urgjentisht tani edhe në juglindje të Evropës. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dashur të jetojnë me çështjet dhe mosmarrëveshjet e tyre të pazgjidhura për një kohë shumë të gjatë. Ka ardhur koha për vendime të guximshme për të kapërcyer pengesat e së kaluarës, duke udhëhequr rrugën drejt bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian”, ka shkruar fillimisht ish-diplomati gjerman.

Potenciali i plotë për rritjen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas Ischinger, mund të realizohet vetëm nëse marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vendosen përfundimisht në një bazë të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.

Për sa kohë Kosova dhe Serbia mbeten të ngulitura në një rreth vicioz të krizave, shpjegon më tej president i Fondacionit të Konferencës së Sigurisë së Munihut, ato nuk do të jenë në gjendje të realizojnë potencialin e tyre të plotë ose rolin e tyre në bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.

“Ngjarjet e fundit në Kosovën Veriore kanë demonstruar edhe një herë rreziqet e përshkallëzimit – madje edhe të konfliktit të madh – prandaj nevojitet veprim urgjent në lidhje me çështjen e statusit të pazgjidhur të Kosovës dhe çështjen e të drejtave të pakicave të komunitetit të saj serb”.

Prandaj Ischinger, ka bërë thirrje që Kurti dhe Vuçiç të bëjnë një hap besimi të shtunën në Maqedoninë e Veriut.

“Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Dhe tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popullit në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian. Bëjeni Zeitenwende pikërisht tani”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore