Lajme

Irani liron punonjësen e Këshillit Britanik – të akuzuar për spiunazh


Një grua me shtetësi iraniane, Aras Amiri, e cila punonte për Këshillin Britanik, është liruar nga paraburgimi duke u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo akuzohej për spiunazh në Iran.

Avokatët e saj kishin bërë një apel në Gjykatën Supreme Iraniane dhe kjo çoi në lirimin e Amirit.

34-vjeçarja, e cila punonte si oficere e çështjeve artistike për Këshillin Britanik, po vizitonte të afërmit në Teheran në vitin 2018, kur u ndalua.

Në maj të vitit 2019, ajo u dënua me 10 vjet burg për spiunazh, pasi tha se, refuzoi të bëhej informatore për shërbimin e inteligjencës iraniane.

Tre muaj më vonë, ajo humbi një apel.

Në vitin 2019, Amiri i shkroi kryetarit të atëhershëm të drejtësisë dhe tani presidentit të zgjedhur, Ebrahim Raisi, duke i kërkuar që të zhvillojë një hetim për akuzat e rreme kundër saj.

Ajo tha se, arsyeja për të cilën ishte burgosur ishte refuzimi i saj për të spiunuar për shërbimet e inteligjencës iraniane.

“Pas lirimit tim me kusht hetuesit e rastit vazhduan të më kontaktonin”, shkroi ajo.

Sipas saj, “gjatë takimit tonë të tretë, unë refuzova ftesën e tyre eksplicite për bashkëpunim dhe u thashë se mund të punoja vetëm në fushën time, jo në ndonjë lloj pune tjetër”.

Një numër shtetasish britaniko-iranianë janë burgosur në Iran me akuza të ngjashme, duke përfshirë Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila u dënua me një vit tjetër burg në prill 2021, pak para se të përfundonte dënimin e saj pesë-vjeçar.

Bisedimet për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, që shihen si kritike për marrëdhëniet evropiane-iraniane, po vazhdojnë në Vjenë dhe disa të afërm të të arrestuarve ende shpresojnë se lirimi i Amir-it është një shenjë e një “shkrirjeje të ngadaltë” mbi çështjen e të burgosurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore