Shqipëria

Irani kërkon të dërgojë delegacion në Shqipëri për hetimin e sulmit kibernetik


Qendra Kombëtare e Iranit për Hapësirën Kibernetike (NCC) shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shqipëri një delegacion teknik.

Kjo, për të hetuar çështjen dhe për të shkëmbyer informacion midis ekipeve kompjuterike të reagimit ndaj emergjencave.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia vendase “Tehran Times”.

Sipas NCC-së, Irani nuk ishte i përfshirë në sulmin e dyshuar kibernetik kundër Shqipërisë.

Agjencia hodhi poshtë “akuzat e pabaza” kundër Iranit në lidhje me sulmin kibernetik të Shqipërisë.

“Republika Islamike e Iranit, duke nënvizuar se ndjek synime dhe qëllime paqësore në hapësirën kibernetike dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit nga të gjitha vendet, hedh poshtë akuzat e pabaza ndaj saj në lidhje me sulmet kibernetike të supozuara kundër Shqipërisë”, vijon njoftimi zyrtar.

NCC-ja tha se akuzat kundër Iranit në këtë drejtim janë pjesë e “iranofobisë kibernetike” dhe synon të shtrojë terrenin për lëvizje armiqësore kibernetike dhe jo-kibernetike kundër Iranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani hodhi poshtë “kategorikisht” më herët akuzat kundër Iranit në lidhje me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzat në lidhje me një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë dhe rezervojmë të drejtën për të ndjekur këto akuza”, theksoi zyrtari iranian.

Kanaani shtoi se Teherani zyrtar këshillon Tiranën që “të mos sakrifikojë interesat e popullit të saj për të mirën e amerikanëve”.

Sipas tij, akuza të tilla po drejtohen nga mijëra kilometra larg Tiranës.

Mbrëmjen e 10 shtatorit sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore