Lajme

“Irani do të sulmojë vendet arabe, nëse Izraeli vepron nga territori i tyre”


Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, të premten tha se Irani u ka thënë vendeve arabe që kanë lidhje me Izraelin se “Teherani do t’i sulmojë ata nëse objektivat iranianë goditen nga territori i tyre”.

Më tej, ai tha se, nëse Izraeli vazhdon t’i sulmojë objektivat iraniane, “Teherani nuk do të hezitojë ta sulmojë drejtpërdrejt Izraelin”.

Kjo deklaratë e Nasrallah-it erdhi pas një sulmi, ku më shumë se 12 raketa u hodhën drejt konsullatës së SHBA-ve në qytetin verior të Irakut, Erbil, në mars.

Garda Revolucionare e Iranit lëshoi më vonë një deklaratë, ku merrte përgjegjësinë për sulmin me raketa kundër “qendrave strategjike” izraelite në Erbil.

“Çdo përsëritje e sulmeve nga Izraeli do të përballet me një përgjigje të ashpër, vendimtare dhe shkatërruese”, thuhet në deklaratë.

Nasrallah gjithashtu i bëri thirrje Jordanisë, Egjiptit dhe të gjitha shteteve arabe “t’ia bëjnë të qartë Izraelit se dëmtimi i xhamisë Al-Aksa është kalim i vijës së kuqe”.

Më herët të premten, shpërthyen përleshje të dhunshme midis palestinezëve dhe policisë izraelite në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit, në atë që është bërë një dukuri javore përpara lutjeve të mesditës për të gjithë muajin e Ramazanit.

Trazirat dhe përleshjet e dhunshme mes të rinjve palestinezë dhe policisë kanë shpërthyer të gjitha të premteve të kaluara gjatë Ramazanit të këtij viti, por demonstratat e mbajtura herët në mëngjes në këto ditë dhe që përfunduan para namazit të mesditës, ishin të qeta.

Nasrallah vlerësoi sulmet e fundit vdekjeprurëse kundër civilëve izraelitë, duke i quajtur ato si “akte heroike”. Ai shtoi se sulmuesit “vinin nga të gjitha pjesët e popullit palestinez”, duke i bërë sulmet unike.

Ai foli para një auditori në Ditën e Jerusalemit, ose Ditën e Kudsit në arabisht, shfaqje tradicionale e mbështetjes për palestinezët e iniciuar nga Irani dhe synonte të shprehte kundërshtimin e përgjithshëm ndaj sionizmit, dhe në veçanti ndaj kontrollit të Izraelit mbi Jerusalemin.

Irani ka shënuar të premten e fundit të muajit të agjërimit të shenjtë mysliman të Ramazanit, që nga fillimi i Revolucionit Islamik të vitit 1979 të udhëhequr nga Ayatollah Ruhollah Khomeini.

Marrë nga Haaretz, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore