Shqipëria

INSTAT: Dyfishohet hyrja e shtetasve të huaj në 6-mujorin e parë


Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar një botim lidhur me lëvizjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në gjashtëmujorin e parë, ku bie në sy dyfishimi i hyrjeve të shtetasve të huaj.

Publikimi nxjerr në pah se gjatë muajit qershor, numri i shtetasve të huaj, të cilët kanë hyrë në territorin shqiptar është 604 mijë e 381. Në krahasim me një vit më parë, kjo shifër është rritur me 3,4 herë.

Shtetasit, të cilët kanë reflektuar rritjen më të lartë të hyrjeve në Shqipëri sipas INSTAT, e mbajnë polakët, me 13,8 herë më shumë. Qytetarët zviceranë ndjekin me 2,7 herë dhe shihet rënia drastike e ardhjeve nga Greqia me 69,6%. Kjo, edhe për shkak të kufizimeve, që u hoqën më datë 28 qershor.

Sa u takon daljeve nga Shqipëria, 371 mijë e 750 shqiptarë janë larguar në muajin qershor, e cila është rritur me 54,3% krahasuar me një vit më parë.

1 milion e 700 mijë shqiptarë kanë dalë nga Shqipëria në gjashtëmujorin e parë, duke reflektuar një rritje prej 23,4%.

Qëllimet e daljeve mund të jenë të ndryshme, që nga pushimet verore, rikthimet në shtetet respektive apo edhe lëvizjet me leje pune, por ato nuk pasqyrohen në publikim.

Nga shtetasit e huaj, INSTAT nxjerr në publikimin e saj se Kosova zë vendin e parë me 641 mijë shtetas që kanë hyrë në Shqipëri dhe ndiqet nga Maqedonia e Veriut me 176 mijë dhe Mali i Zi me 111 mijë shtetas për gjashtëmujorin e parë.

Italia, Greqia, Polonia dhe Gjermania ndjekin në renditjen e hyrjeve të shtetasve të huaj.

Arsyeja e hyrjeve të shtetasve ndahen midis atyre personale dhe profesionale.

Qëllimet kryesore të hyrjeve në Shqipëri i plotësojnë motivet e pushimeve, vizitave tek të afërmit apo trajtimet shëndetësore, që njihen si praktika sezonale prej kohësh.

Shtetasit që hyjnë për arsye biznesi në krahasim me një vit më parë, janë reduktuar nga 52 mijë në 43 mijë në qershor të 2021.

Mënyra e preferuar për të udhëtuar në Shqipëri mbetet ajo tokësore, me gati 2.7 milionë dalje të regjistruara.

Udhëtimet me aeroplan renditen në vendin e dytë me 360 mijë shtetas, që kanë preferuar linjat ajrore dhe vetëm 107 mijë përmes rrugëve detare të trageteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore