Shqipëria

Incidenti i Gramshit mund të ketë qenë përplasja e parë midis NATO-s dhe Rusisë, thotë Ghitis


Ngjarja e fundjavës së kaluar në Shqipëri u la në hije nga shpërthimi i një bombe në Moskë që vrau Darya Dugina-n, vajzën e ideologut të ekstremit të djathtë, pro-Kremlinit, Alexander Dugin.

Por, operacioni i dyshuar i inteligjencës ruse në Shqipëri – aleaten e NATO-s – mund të jetë edhe më shqetësues.

Incidenti, sado i vogël, mund të ketë qenë përplasja e parë e drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë qëkurse forcat ruse pushtuan Ukrainën gjashtë muaj më parë.

Kështu shkruan Frida Ghitis, kolumnistja e çështjeve botërore dhe një bashkëpunëtore e rregullt në “CNN” dhe “The Washington Post”.

“A ishte rasti i turistëve të pafajshëm që hynin në telashe? Ndoshta. Provat janë të turbullta, por ka arsye për të vënë në dyshim alibinë e të dyshuarve”, shkruan Ghitis.

Sipas saj, ky është një nga ato raste kur ne nuk mund ta zbulojmë kurrë të vërtetën e plotë – ose nuk mund t’i cilësojmë kurrë plotësisht si bindëse, rezultatet e një hetimi eventual.

“Nëse përcaktohet se një ose të dyja këto infiltrime ishin, në fakt, operacione të FSB-së, ajo mund të detyrojë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n të përgjigjen në një farë mënyre”, shton kolumnistja.

Ajo vëren se provat që i lidhin këto infiltrime me Kremlin-in janë deri tani të paqarta.

Gjykata shqiptare urdhëroi që dy rusët dhe ukrainasi të qëndrojnë në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqi të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u dhanë detaje se pse të dyshuarit mund të kenë qenë të interesuar për vendin.

Ata u arrestuan të shtunën brenda ose pranë ish-uzinës ushtarake në Gramsh. Të dyshuarit kishin bërë fotografi të uzinës.

Autoritetet shqiptare thanë se Zorin, i cili kishte hyrë në fabrikë, përdori spraj piperi ndaj dy rojeve ushtarake që po përpiqeshin ta kapnin.

Policia tha se sekuestroi automjetin e tyre Chevrolet, dy drone, një laptop, para dhe prova të tjera.

Tre të dyshuarit e mohuan akuzën për spiunazh. Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mbahej një gjyq. Nëse përfundimisht shpallen fajtorë, ata do të përballen me 10 vite burg.

Arrest me burg për dy rusët dhe ukrainasin e rastit të Gramshit

Ekskluzive/ Shqipëria ishte misioni i parë i “rekrutit” rus, më pas do vizitonte Ballkanin

Arrest me burg për dy rusët dhe ukrainasin e rastit të Gramshit

Dy rusë dhe një ukrainas hyjnë në uzinën e armëve Gramsh, plagosin dy ushtarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore