Shqipëria

Dy rusë dhe një ukrainas hyjnë në uzinën e armëve Gramsh, plagosin dy ushtarë


Tre shtetas, mes të cilëve dy rusë dhe një ukrainas, kanë mësyrë mbrëmjen e sotme uzinën e armëve në Gramsh, ku pas përleshjes mes tyre dhe forcave shqiptare, dy ushtarë mbetën të lënduar.

Sipas informacioneve paraprake rreth ngjarjes, tre personat kanë dashur të hyjnë në uzinë në mënyrë të fshehtë. Më pas, ata janë pikasur nga ushtarët, të cilët ishin në vendrojë.

Prej çastit të pikasjes, ushtarët shqiptarë janë afruar drejt tyre dhe aty ka nisur edhe përleshja fizike.

Një prej mësymësve, ka sulmuar efektivët me lëndë kimike, duke i lënduar në zonën e syve.

Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, pas ngjarjes, të tre të infiltruarit janë neutralizuar dhe janë ndaluar nga autoritetet përkatëse.

Nga raportimet e banorëve të zonës, mësymësit kishin aparate fotografike me vete dhe harta dhe kishin dy ditë që e survejonin zonën.

Njëri prej tyre, ka qëndruar në mjediset e jashtme të uzinës, teksa dy të tjerët kanë kaluar rrethimin.

Ende nuk ka një informacion zyrtar për të sqaruar ngjarjen plotësisht ose qëllimin e shtetasve rusë dhe ukrainas, apo arsyen pse ata janë gjendur në atë zonë.

Dy ushtarakët ndërkaq, janë dërguar fillimisht në Spitalin e Gramshit, ku kanë marrë ndihmën e parë dhe më pas janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar. Gjendja e tyre është e stabilizuar.

Ndërsa, tre të huajt, janë duke u hetuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore