Shqipëria

Impianti i parë diellor lundrues në Shqipëri fillon operimin tregtar (video)


Statkraft, në bashkëpunim me kompaninë norvegjeze Ocean Sun, që prej të enjtes së 3 qershorit, kanë filluar operimin tregtar të paneleve diellore lundruese në Shqipëri. Statkraft është gjeneratori më i madh i energjisë së ripërtëritshme në Evropë.

Ky projekt është vendosur në rezervuarin e Banjës në Shqipëri dhe pritet të kontribuojë më tej në rrugëtimin e energjisë së ripërtëritshme të vendit.

Statkraft po operon hidrocentralin e saj me 72 megavat në Banjë. Më 5 maj përfundoi me sukses njësia e parë diellore lundruese dhe lidhja me rrjetin. Tanimë, impianti po prodhon energji të rinovueshme, të cilën po e transmeton në rrjetin kombëtar të energjisë elektrike shqiptare.

Lidhur me bashkëpunimin, CEO i Statkraft, Christian Rynning-Tønnesen, u shfaq i ngazëllyer.

“Ky është një moment historik i shkëlqyeshëm, në një projekt novator diellor lundrues. Është  emocionuese të shohësh impiantin të gjallërohet dhe të sigurojë prodhim shtesë të energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, tha ai fillimisht.

Më pas, Rynning-Tønnesen u shpreh se “ne po presim me padurim rezultatet konkrete të këtij projekti demonstrues, për të vlerësuar potencialin për zgjerimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie emocionuese”.

Nga ana tjetër, shefja e Statkraft në Shqipëri, Rigela Gegprifti, e ka cilësuar arritjen si një moment të rëndësishëm për kompaninë që drejton.

Po ashtu, edhe si një hap të mëtejshëm në misionin e tyre për të udhëhequr zhvendosjen drejt energjisë së rinovueshme përmes zgjidhjeve inovative.

“Pas fillimit të operacioneve tregtare të hidrocentraleve tona në Banjë dhe Moglicë, ne po shohim për optimizmin e mëtejshëm të këtyre aseteve të rinovueshme. Impianti Diellor Lundrues i Banjës është një shembull konkret për integrimin e mëtejshëm të burimeve të ndryshme të energjisë së rinovueshme”, u shpreh ajo.

Ndërkohë që CEO i kompanisë norvegjeze Ocean Sun, Børge Bjørneklett, u shpreh i kënaqur për fillimin e operimeve tregtare të lundruesit të ri të kompanisë së tyre në rezervuarin e Banjës. Sipas tij, kjo demonstron metodologjinë e sigurt, të thjeshtë dhe të shpejtë të ndërtimit.

“Ne ishim në gjendje të instalonim panelet diellorë me shpejtësi rekorde. Dëshiroj të falënderoj ekipet e afta të Statkraft dhe kontraktorin lokal Doko. Bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyeshëm dhe aftësia dhe njohuritë e tyre e bënë instalimin një kënaqësi nga fillimi në fund”.

Fjala e ministres Belinda Balluku

Të mërkurën e 2 qershorit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një daljeje në median sociale Facebook lajmëroi përfundimin e punimeve dhe fillimin e operimeve tregtare. Sipas saj, në këtë Hidrocentral është ndërtuar edhe një njësi e paneleve të lundrueshme për të prodhuar energji nga panelet diellore.

Ajo ka treguar se “kemi integrim të diversifikimit të energjisë së rinovueshme për të prodhuar sa më shumë energji”.

Sakaq, ajo shtoi se projekti përfshin instalimin e paneleve diellore mbi rezervuarin e hidrocentralit, duke shfrytëzuar kështu edhe rrezet e diellit për të prodhuar energji.

Balluku ka sqaruar për publikun se ndodhën në të njëjtën hapësirë, dy burime të ndryshme.

Struktura e energjisë diellore lundruese

Energjia diellore lundruese përfshin instalimin e paneleve diellorë në strukturat lundruese në ujë, një liqen, fjord ose oqean, ose në një rezervuar hidro-energjie. Çdo njësi përbëhet nga një unazë lundruese dhe një cipë e hollë.

Kombinuar me ftohjen e paneleve nga uji poshtë, është membranë dhe zona e madhe që e bën unik këtë koncept.

Teknologjia është zhvilluar nga Ocean Sun dhe, megjithëse membrana është e trashë vetëm disa milimetra, ajo mund të përballojë lehtësisht peshën e paneleve diellore dhe të personelit që kryen detyrat e instalimit ose mirëmbajtjes.

Njësia e parë, e përbërë nga 1 mijë e 536 panele diellore, ka një kapacitet të instaluar prej 0.5 MWp dhe mbulon pothuajse 4 mijë metra katrorë.

Përveç kësaj, 160 panele të barabarta janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese.

Projekti pritet të vazhdojë fazën e tij të dytë të implementimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, ku tre njësi shtesë lundruese do të instalohen, me një kapacitet shtesë të kombinuar prej 1.5 MWp.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore