Kosova

IKSHPK-ja: Cilësia e ujit në liqenin e Badovcit është përmirësuar


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në liqenin akumulues të Badovcit, të destinuar për pijë duke thënë se ka përmirësime.

IKSHPK-ja, përmes një komunikate për media ka potencuar se gjendja në liqe aktualisht është qetësuar, por që akoma nuk mund të përdorët për pije.

“Analizat e fundit laboratorike tregojnë se gjendja në liqe është qetësuar, cilësia e ujit është përmirësuar dhe pritet që në ditët në vijim të ulen vlerat e Manganit në rrjet, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”.

“Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badovcit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.

Ky institut ka apeluar tek qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që ujin ta përdorin për disa shërbime të tjera.

“Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera. Uji në rajonet që furnizohen nga liqenet akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim”.

“Shpëlarja e rezervarëve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)”.

Ndërsa është thënë se monitorimi dhe përcjellja e vazhdueshme për cilësinë e ujit po bëhet në tërë zonën e furnizimit nga liqeni i Badovcit.

Më 15 nëntor, Kompania Rajonale e Ujësjellësit, ka bërë të ditur se janë duke punuar për të përmirësuar cilësinë e ujit në Liqeni e Badovcit dhe për këtë arsye të mërkurën do të bëhet shpëlarja e linjave magjistrale dhe sekondare në këtë pjesë.

Në tetor IKSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Kjo pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

Ndërsa më 19 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërcënuar me ndërprerje të punës në rast se nuk zgjidhet problemi me ujë me të cilin po përballet për tri ditë.

Përmes një komunikate nga Gjykata, kanë thënë se ka mungesë të ujit tash e tri ditë dhe kjo e ka vështirësuar punën e stafit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore