Kosova

IKSHPK-ja: Qytetarët që furnizohen nga Badovci të mos e përdorin ujin për pije


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Kjo thirrje nga IKSHPK-ja është bërë pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

“IKSHPK ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë. IKSHPK apelon te qytetaret të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, është thënë në komunikatën e IKSHPK-së.

Në njoftimin e Institutit janë bërë të ditura edhe zonat të cilat s’duhet ta përdorin ujin për pije.

“IKSHPK do të vazhdojë me monitorim të ujit për pije dhe përcjelljen e situatës në këto zona. Bashkëveprimi i IKSHPK me KRU “Prishtina” është në vijimësi deri në normalizimin e vlerave referente”.

“Ju lutemi që t’i referoheni vetëm njoftimeve zyrtare të IKSHPK-së për këto të dhëna”, thuhet në reagim.

Më 19 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërcënuar me ndërprerje të punës në rast se nuk zgjidhet problemi me ujë me të cilin po përballet për tri ditë.

Përmes një komunikate nga Gjykata, kanë thënë se ka mungesë të ujit tash e tri ditë dhe kjo e ka vështirësuar punën e stafit.

“Kjo gjendje ka vështirësuar dhe rënduar gjendjen higjienike në objektet e Pallatit Drejtësisë, po ashtu vë në rrezik shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrativ, të cilët pavarësisht kësaj gjendje të rëndë e cila është duke mbizotëruar në tërë objektin e gjykatës, të njëjtit janë duke vazhduar të punojnë”, thuhet nga Gjykata.

Po ashtu, kanë kërkuar nga autoritetet kompetente, KRU “Prishtina” dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të marrin masa të menjëhershme për të furnizuar me ujë objektin e kësaj gjykate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore