Lajme

Gjykata në Prishtinë kërcënon me ndërprerje të punës për shkak të mungesës së ujit


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërcënuar me ndërprerje të punës në rast se nuk zgjidhet problemi me ujë me të cilin po përballet për tri ditë.

Përmes një komunikate nga Gjykata, kanë thënë se ka mungesë të ujit tash e tri ditë dhe kjo e ka vështirësuar punën e stafit.

“Kjo gjendje ka vështirësuar dhe rënduar gjendjen higjienike në objektet e Pallatit Drejtësisë, po ashtu vë në rrezik shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrativ, të cilët pavarësisht kësaj gjendje të rëndë e cila është duke mbizotëruar në tërë objektin e gjykatës, të njëjtit janë duke vazhduar të punojnë”, thuhet nga Gjykata.

Po ashtu, kanë kërkuar nga autoritetet kompetente, KRU “Prishtina” dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të marrin masa të menjëhershme për të furnizuar me ujë objektin e kësaj gjykate.

“Në të kundërtën do të shqyrtohet seriozisht mundësia e ndërprerjes së punës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së ndonjë epidemie eventuale”.

Edhe në muajin korrik Këshilli Gjyqësor i Kosovës, iu është drejtuar udhëheqësve të shtetit me një letër të hapur ku kishin adresuar pakënaqësitë e tyre me gjendjen e krijuar në Pallatin e Drejtësisë.

Në këtë letër thuhej se për shkak të gjendjes së krijuar, Këshilli Gjyqësor ka mbetur i vetëm në përpjekje për të gjetur zgjidhje të situatës duke kërkuar nga stafi i Pallatit të Drejtësisë të kujdesën për higjienën.

Në letrën e hapur të KGJK-së, potencohej se ata mbesin me shpresë që të ndërmerren masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen sepse në të kundërtën do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore si dhe do të pamundësohen shërbimet ndaj qytetarëve.

Ndryshe, çdo vit në pallatin e Drejtësisë stafi i gjykatave përballen me një situatë të ngjashme ku kanë probleme me ajrin.

Ndërkaq, për rregullimin e një çështje të tillë nga KPK-ja ishte thënë se përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Nga Këshilli, ishte sqaruar se nuk do të mbajnë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore