Lajme

Idrizi akuzon Tahirin për vendosjen e posterave nënçmuese në Vushtrri


Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)..

Në tërë qytetin e Vushtrrisë janë vendosur postera me motive nënçmuese mbi foton e kandidatit që garonë nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferit Idrizi për kryetar të komunës së Vushtrrisë.

Kandidati për kryetar të kësaj komune, Ferit Idrizi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas vendosjes së këtyre posterave, ai ka akuzuar kryetarin aktual të kësaj komune si dhe kandidatin që garon përsëri për këtë komunë Xhafer Tahirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“E dimë me saktësi se i kanë bërë ata, sepse këtë gjuhë të urrejtjes ka përdorur gjatë gjithë fushatës z. Tahiri. Këta postera janë të fushatës raciste të Xhafer Tahirit. Kjo asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kulturës dhe e edukatës sonë qytetare, por as e politikës së mirë”, ka shkruar Idrizi në Facebook.

Vendosja e posterave nënçmuese në Vushtrri tek kandidati për kryetar të kësaj komune Ferit Idrizi.

Sipas tij, këto etiketime nuk do të i shërbejnë në asnjë formë Tahirit.

“Këto etiketime të ulëta nuk do t’i shërbejnë në asnjë formë z .Tahirit, sepse me këtë veprim po shpërfaq urrejtje patologjike ndaj kundërkandidatëve të tjerë në Vushtrri dhe ndaj kolegëve tanë në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilët populli i ka zgjedhur qysh në raundin e parë”.

Tutje, Ferit Idrizi ka shkruar se kryetari në shkuarje do të mbahet mend për tendencën e tij për ta instaluar gjuhën e urrejtjes.

“Kryetari në shkuarje do të mbahet mend për tendencën e tij për ta instaluar gjuhën e urrejtjes, e cila nuk është përkrahur as nuk do të përkrahet kurrë nga vushtrriasit. Krejt çka mund të bëjë ai është kjo, ngase zgjedhjet tashmë i ka humbur”.

Vendosja e posterave nënçmuese në Vushtrri tek kandidati për kryetar të kësaj komune Ferit Idrizi.

Ndërsa, i ka bërë ftesë për debat në sheshin kryesor të qytetit.

“Z. Tahiri nuk duhet të fshihet pas këtyre vandalizmave politikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës sime për debat në sheshin kryesor të qytetit”.

Në garë për komunën e Vushtrrisë në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të zhvillohet me 14 nëntor janë Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Poster tjetër i vendosur në komunën e Vushtrrisë.

Kandidati i PDK-së nga numërimi i votimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte marrë 34.89 për qind, ndërsa Tahiri kishte marrë 33.77 për qind të votave në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore