Shqipëria

Identifikohet autori i masakrës në Wisconsin, jo terrorist


Darrell E. Brooks është identifikuar si autori i masakrës në Wisconsin, pasi u fut me një fugon mes një turme njerëzish, ku pesë prej tyre mbetën të vrarë dhe mbi 40 u plagosën.

Sipas organeve policore, Brooks ka vepruar i vetëm dhe sulmi nuk ka hije terrorizmi.

Ngjarja ndodhi në një paradë krishtlindjesh në qytezën Waukesha.

Shefi i Policisë, Daniel Thompson, ishte lajmëtari mbi identitetin e 39-vjeçarit, i cili kreu aktin e pazakontë.

Ai akuzohet tashmë për vrasjen e pesë personave dhe një sërë akuzash të tjera mund të rëndojnë mbi të për të rënduar edhe më shumë dënimin potencial ndaj tij.

Darrel E. Brooks

“Kemi të dhëna se autori i ngjarjes, ka qenë i përfshirë pak përpara incidentit në një zënkë shtëpiake. Vetëm pak minuta përpara mbërritjes së Policisë në shtëpinë e tij, Brooks ishte larguar”, deklaroi Thompson për mediat.

Ndërkaq, mbi reagimin policor gjatë atentatit, ai pranoi se një oficer policie, e kishte zbrazur gjithë karikatorin me fishekë mbi automjetin e Brooks. Mirëpo, për shkak të njerëzve të pranishëm në vend, zjarri ndaj tij ndaloi për të evituar fatalitete aksidentale.

Një pjesë e mirë e të plagosurve, kanë qenë edhe fëmijë të vegjël. Ndërsa pamje nga masakra, u postuan edhe në media sociale fillimisht.

Brooks nga ana tjetër, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë amerikane. Ai është akuzuar më herët për rezistencë ndaj forcave policore, shkatërrim të pronës, armëmbajtjes pa leje, dhunës në familje, përdorim dhe shitjeve të narkotikëve, si dhe shpesh- herë mbi të kanë rënduar akuza për ngacmim seksual.

Waukesha është një periferi perëndimore e Milwaukee-s dhe rreth 90 kilometra në veri të Kenosha-s, ku Kyle Rittenhouse u lirua të premten nga akuzat që erdhën nga vrasja e tre burrave gjatë trazirave në atë qytet në gusht të 2020-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore