Film

I treti i vërteti – Spider Man thyen rekordin vjetor dhe “mallkimin” e pandemisë


Industria e filmit është përballur me një rënie të madhe në shitjen e biletave që prej fundit të vitit 2019, nga e cila e ka pasur të vështirë të rimëkëmbet.

Pavarësisht debutimeve të rëndësishme në sallat e kinemasë në tregun më të gjerë të ekranit të madh, SHBA-ve, të ardhurat kanë qenë të ulëta në shumicën e rasteve.

Ai që njihet si “box office”, është një tregues i rëndësishëm për ecurinë e filmave në Hollywood, por javët debutuese, nuk kanë arritur të shkojnë përtej 100 milion dollarëshit – një shifër më se mesatare për ditët e sotme.

E ndërsa pritej që shpëtimtar i industrisë të ishte një superhero, të paktë ishin ata të cilët kishin menduar se ai, do të ishte Spider Man!

253 milionë dollarë!

Kjo shifër nuk është thjesht debutimi më i lartë i këtij viti në sallat e kinemave në SHBA, por është edhe debutimi i tretë më i lartë i të gjitha kohërave.

Pas, e lënë vetëm dy instalacionet e fundit të “The Avengers”, “Infinity War” dhe “Endgame”.

Spidey, jo vetëm ka pasur një perfomancë të jashtëzakonshme në “box office”, por është pritur edhe me shumë dashuri nga publiku i gjerë.

Ndërsa, në tregun global, shifra është akoma më astronomike, me 578 milionë dollarë të fituara deri tani. me këtë ritëm, ai mund të renditet shumë shpejt në listën miliardë dollarëshe të Hollywood”.

Filmi u shty disa herë në kohë, për shkak të pandemisë. Megjithatë, duket se ia vlejti.

Studio kinematografike “Sony”, do ta kujtojë këtë “përmbyllje” të trilogjisë “shtëpiake” të Peter Parker, si titullin më fitimprurës në javën e parë për një film nga studioja.

Tom Holland dhe Zendaya

Ndërsa, ecuria, do të përballet fundjavën e gjatë të Krishtlindjes me rikthimin në ekran të Keanu Reeves dhe “Matrix”-it të kthyer në kult.

Por, deri në atë ditë, dy yjet e Spider Man, Tom Holland dhe Zendaya, duket se do të shijojnë jo vetëm romancën që gëzojnë në jetën reale, por edhe atë të suksesit në “Spider Man No way Home”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore