Shqipëria

I thanë se merret me hallet personale, reagon Berisha: Jam i pari që kam akuzuar aferat korruptive qeveritare


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook, mbi akuzat që erdhën nga radhët e Partisë Demokratike, se ai po zhvendos vëmendjen mediatike për nga hallet personale, ndërkohë që vendi po zien nga arrestimi i Lefter Kokës nën akuzën e korrupsionit në tenderimin e inceneratorëve.

Mbi akuzat, Berisha është përgjigjur se nuk ka pasur zhvendosje të vëmendjes. Përkundrazi, ai pretendon se e ka akuzuar i pari aferën korruptive, që prej vitit 2015.

Ndërsa, mbi “vizitën” e Albana Vokshit në selinë e Partisë Demokratike – kjo e fundit një prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit – ai tha se ishte një vizitë e thjeshtë rutinë, për një mbledhje.

Duke e cilësuar Bashën si deputet të thjeshtë, Berisha replikon mbi akuzat e kryedemokratit për heshtjen e paraardhësit të tij ndaj arrestimit të Kokës.

“Së pari, i kujtojmë deputetit Basha se Berisha ka qenë ndër më të parët që ka denoncuar këtë mega afërë korruptive në një seri statusesh dhe deklaratash nga viti 2015 e në vazhdim”, shkruan ai.

Ndërsa, posaçërisht për Kokën, ai thotë se ka pasur dy reagime të forta publike në Facebook.

Debatet e zhvilluara në ambientet e jashtme të selisë demokrate, ish-lideri i PD-së i përshkroi si sulm verbal dhe fizik, që Basha ka organizuar ndaj zonjave të Lidhjes Demokrate të Gruas.

“Kjo më shumë se çdo gjë, tregon respektin dhe fytyrën e vërtetë të Lul burracakut. I bëjmë me dije, se do të mbajë përgjegjësi personale në përballje me mijëra demokratë, për çdo provokim apo incident, që njerëz të paguar prej tij do guxojnë të bëjnë ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të PD-së”, përmbyll ai.

Akuzat demokrate

“Në ditën kur duhet ngritur zëri dhe reagimi për skandalin e inceneratorëve, Sali Berisha dhe Albana Vokshi gjejnë kohën të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali i korrupsionit disa milionë eurosh”.

Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, përmes një postimi në median sociale Facebook lidhur me akuzat e deputetes demokrate, Albana Vokshi, për ndërrimin e bravës së derës zyrës.

“Le të pyesin veten pse nuk flasin për këtë skandal? Pse përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfshirja e zyrtarëve më te lartë të qeverisë?! Pse nuk i shqetëson ky fakt?!”, thekson Zhupa.

Para kësaj deklarate, deputetja e PD-së, Albana Vokshi së bashku me aktivisten, Evi Kokalari kanë hedhur akuza mbi kryedemokratin, Lulzim Basha për ushtrim dhune verbale.

“Do të vazhdojmë punën, do të jemi në terren nëpër rrethe. Pavarësisht nga dhuna verbale. Lulzim Basha duhet të  mbajë përgjegjësi për këtë dhunë më parë. Këta që i dërgon ai, kjo është dhunë verbale. Kanë mbyllur të gjitha dyert. Kjo është e turpshme. Kjo ndërtesa e Partisë Demokratike. Kjo është kryetarja e Forumit të Gruas për 8 vite”, u shpreh Kokalari.

Nga ana tjetër, Vokshi u shpreh se kjo është fytyra e vërtetë e Lulzim Bashës.

Më herët rreth orës 15:00, me mbërritjen e saj në seli, Vokshi tha se brava e derës së zyrës së saj ishte ndërruar dhe nuk hapej me çelësin që ajo kishte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore