Kosova

“I pamë në fotografi e video, s’jetojmë në shek. XIX”, Kurti u përgjigjet akuzave të Serbisë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në komunën e Dragashit, pas akuzave të Listës Serbe dhe të zyrtarëve të Serbisë për përmendjen e emrave të përveçëm në Kuvendin e Kosovës, duke i bërë përgjegjës ata për dhunën në Veri, ku u sulmuan policët e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, tha se ata u panë në pamjet e protestave, duke shtuar se pesë prej tyre tanimë janë të arrestuar.

“Sa i përket atyre emrave që i kam përmendur në seancën plenare të Kuvendit të Republikës, i kam përmendur pesë që janë arrestuar dhe organet tona të sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, kundër policëve të Kosovës dhe kundër juve gazetarëve, siç mund ta keni parë edhe vet”.

“Pra, është sundimi i ligjit, janë proceset e drejtësisë ato të cilat do ta vërtetojnë gjithçka. Mirëpo ne videot, fotografitë i kemi pa që të gjithë. Nuk jetojmë në shekullin e XIX, që mos të dihet çka ka ndodh në një vend tjetër. Në kohë reale është përcjellë një dhunë brutale e elementeve ekstremistë të cilët edhe dirigjohen, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar”, potencoi ai.

Vendimi e Listës Serbe për t’i braktisur institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, kreu i ekzekutivit e konsideroi si një “gabim kardinal”.

“Pastaj e kanë pasur me gabimin e dytë që i kanë bojkotuar zgjedhjet, pastaj kanë thirrur të tjerët për bojkot të zgjedhjeve dhe për këto gabime të njëpasnjëshme që janë pasojë e qëllimeve të gabuara duhet të paguajnë ata, jo Republika jonë”, shtoi kryeministri.

Ndërsa, lëvdata Kurti pati për ministrin e qeverisë së tij, Nenad Rashiç – i cili është nga komuniteti serb – kjo pasi bëri një analogji me një ish-ministër të tij, Goran Rakiç, për të cilën tha se as afër nuk i vjen këtij aktual.

“Sot paradite me ministrin tim, Nenad Rashiç, kam qenë bashkë në Ferizaj, ja kemi ndërtuar shtëpinë një familje gorane me prejardhje nga Dragashi e cila i ka 11 anëtarë. Tash, dikur ka qenë ministër i imi Rakiç-i, tash e kam ministër Nenad Rashiç-in. Nenad Rashiç-i, është pakrahasimisht më i mirë, më punëtorë dhe gjithashtu po e gjen mbështetjen gjithnjë e më të madhe të qytetarëve jo vetëm serbë, në vendin tonë”, pohoi ai.

Ndërsa, ai potencoi se bashkëjetesa në komunën e Dragashit është një shembull i mirë, dhe për këtë sipas tij “duhet falënderuar qytetarët dhe partitë politike që bashkëpunojnë për të arritur këtë”.

“Për bashkëjetesën këtu duhet t’i falënderohemi qytetarëve, duhet t’i falënderohemi edhe kryetarit dhe duhet t’i falënderohemi të gjitha partive politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë. Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë”, pohoi ai.

Ndryshe, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, kishte reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit kishte përmendur disa emra të personave që ai thoshte se janë të organizatorëve të trazirave në Veri.

Sipas Petkoviç, Kurti tashmë shpalosi “listën e pushkatimeve”.

Sipas tij Kurti ka mundur të fus cilindo serb nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Duke publikuar listën e pushkatimeve të serbëve të shquar dhe liderëve politikë në Veri, Kurti zyrtarisht lajmëroi për karakterin fashisht të qeverisë së tij”, ka pretenduar Petkoviç.

Kurti publikoi emrat e organizatorëve të trazirave në Veri, Petkoviç: Është listë pushkatimesh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore