Lajme

Kurti publikoi emrat e organizatorëve të trazirave në Veri, Petkoviç: Është listë pushkatimesh


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit përmendi disa emra të personave që ai pretendoi se janë të organizatorëve të trazirave në Veri.

Sipas Petkoviç, Kurti tashmë shpalosi “listën e pushkatimeve”.

Sipas tij Kurti ka mundur të fus cilindo serb nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Duke publikuar listën e pushkatimeve të serbëve të shquar dhe liderëve politikë në Veri, Kurti zyrtarisht lajmëroi për karakterin fashisht të qeverisë së tij”, ka pretenduar Petkoviç.

Me publikimin e kësaj liste, Petkoviç tha se Kurti “ka marrë pengë të gjithë ata banorë të Kosovës që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Duke folur të premten në Kuvend, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë së Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

Sipas tij, rolin kryesor në organizimin e protestuesve po e kryejnë anëtarë e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kurti ka përmendur emrin e Milorad Jevtiç, i cili, sipas tij, është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal e se shtëpia e tij është “bazë qëndrimi për drejtuesit e strukturës ilegale”.

“Danilo Josifoviç, i njohur me nofkën ‘përki’, gjithashtu anëtar i formacionit ilegal Mbrojtja Civile. Liljana Aksentieviç, zëvendësuese e të ashtuquajturit kryetar i organit të përkohshëm në Zveçan, i cili ka urdhëruar të gjithë punëtorët ilegale të Zveçanit të dalin para Komunës”.

“Personat e maskuar që po i shohim në video, janë të udhëhequr nga ish kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviç. Ai më 29 maj e ka rrahur një qytetar serb, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiç, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan është pjesëtar i organizatës kriminale serbe Severna Brigada”.

“Milan Zhivkoviç, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë. Danillo Krivokapiç, Jovica Llazoviç, Nikolla Radimiroviç, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviç. Kjo organizatë kriminale në rrjetet sociale ka postuar lajm, se Wagner ka arritur në Kosovë”.

“Po ashtu i lidhur me këtë grup kriminal rus është edhe Damian Knezheviç, ky kishte organizuar së bashkë me organizatën e tij protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinje me ç’rast u patën identifikuar një numër i madh i personave me simbole ekstremiste ruso-serbe”.

“Daniel Gjukiç, bashkë me një grup tjetër kanë gjuajtur shok bomba, janë pjesë e grupit të Radojiçit. Milosh Gjukiç, ka raporte të ngushta me djalin e Vuçiç. Milan Tomiç, i lindur në Obiliq ka marrë pjesë në shpimin e gomave të veturave të Policëve. Peter Milosheviç, Dejan Jevtiç, Nikola Valdini, Milan Zhivkoviç, Vuk Brankoviç, Lluka Vllaskoviç, Bozhidar Todoroviç dhe Radisha Denoviç”.

Kurti në Kuvend përmend emrat e organizatorëve të trazirave në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore