Lajme

I kemi vërtetuar krimet ruse të luftës në Ukrainë, thotë Harris nga Mynihu


Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka përdorur tone të ashpra kundrejt Rusisë në fjalën e saj gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, ku ka thënë se SHBA-të i kanë provat për krimet e luftës që Vladimir Putin i ka kryer në Ukrainë, që prej fillimit të agresionit, thuajse një vit më parë.

“E kemi ekzaminuar çdo provë. Procedurat ligjore i njohim. Nuk ka asnjë dyshim se veprimet e Rusisë në Ukrainë, janë krime lufte”, tha ajo qartësisht, duke përsëritur se Amerikan do të bëjë gjithçka nevojitet, për ta mbajtur Moskën përgjegjëse lidhur me çdo goditje ushtarake që ka ndërmarrë ndaj popullit të pafajshëm ukrainas.

Hetimet ndërkombëtare, do të vijojnë të mbështeten nga Washingtoni dhe fajtorët, sipas numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, do të mbahen përgjegjës, pa asnjë pikë dyshimi.

Një thirrje të qartë ajo e kishte edhe karshi Putinit, të cilit i tha se gabohet, nëse ai mendon se kohën e ka nga krahu i vet.

“Nëse ai mendon se mund të na heqë qafe me kohën, e ka gabim”, përforcoi ajo. “Koha nuk është në kohën e tij”.

Populli ukrainas është sprovuar në disa nivele gjatë thuajse një viti agresioni, siç theksoi Harris dhe ka treguar se është në lartësinë e duhur për të përballuar çdo sfidë.

Këtë, edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, ku SHBA-të të parat, do të jenë aleat dhe partner kryesor në qëndresën e dinjitetshme të Kievit.

Ndihma, ashtu si e kanë theksuar edhe partnerët evropianë, nuk do të mungojë.

Verë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri gjithashtu një paralajmërim të qartë për vendet e anëtare, duke i kërkuar atyre të ulin varësinë nga Kina dhe të mos përsërisin kësisoj të njëjtin gabim, si në rastin e Rusisë.

Stoltenberg kërkon kujdes ndaj Kinës, të mos përsëriten gabimet e bëra me Rusinë

Për më tepër, ai do të kërkojë edhe mbështetjen e pakushtëzuar për Kievin, gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, duke bërë thirrje për t’i dhënë ukrainasve gjithçka u duhet, për të mposhtur Moskën në këtë qëndresë.

“Ukrainës i duhet dhënë gjithçka i nevojitet për të fituar dhe për ta mposhtur Rusinë”, ka përsëritur ai disa herë në takime gjatë fundjavës së konferencës dhe këtë thirrje, pritet ta përsërisë përpara gjithë liderëve evropianë të aleancës.

Mbi luftën në Ukrainë kanë folur edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë konferencës, ku është theksuar çasti historik, mbështetja për Kievin, si edhe koha e papërshtatshme për të pasur bisedime në tavolinë.

Këtë të fundit e ka bërë me dije edhe presidenti Macron, kur tha se çasti nuk është ai për negociata me Rusinë, por për t’i ofruar Ukrainës mbështetje drejt fitores.

Teksa, Scholz, garantoi se është çështje ditësh, që tanket e para Leopard të nisen drejt Ukrainës dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e gjithë Evropës dhe vlerave perëndimore.

Tanket e para Leopard do të arrijnë “shumë shpejt” në Ukrainë, por lufta do të jetë e gjatë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore