Shqipëria

I drejtë apo i gabuar, vendimi i Celibashit për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve?


Parti Demokratike me logo dhe simbolet historike të forcës së djathtë politike në Shqipëri, nuk do të ketë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Ka qenë ky vendimi i marrë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas shqyrtimit të kërkesës së dy grupeve brenda të djathtëve, njëri i përfaqësuar nga Sali Berisha dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj.

Teksa legjitimitetin ia njohur këtij të fundit për ta regjistruar PD-në në zgjedhje, komisioneri i pati kërkuar përfaqësuesit ligjor të demokratëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa, të plotësonte dokumentacionin e cunguar në dosjen e paraqitur prej tij për regjistrim, për disa mungesa.

Më thelbësorja ndër to, një deklaratë solemne, e cila duhet nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili në Gjykatën e Tiranës, pavarësisht se prej një viti i dorëhequr, rezulton ende Lulzim Basha.

Kështu, duke nxjerrë në pah sërish apatinë e PD-së dhe duke i lënë të dy grupimet janë zgjedhjeve vendore, në rast se Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve apo Kolegji Zgjedhor, nuk e rrëzojnë vendimin e Celibashit.

Por, a veproi ai drejt?

Sipas ish-kreut të KQZ-së dhe ekspertit zgjedhor, Kristaq Kume, vendimi i komisionerit është krejtësisht në përputhje me çdo dispozitë ligjore dhe ai e ka marrë atë, i bazuar në çfarë i kërkon ligji të zbatojë për postin që mbart.

Më së shumti, Kume e sheh problemin te vonesa që Gjykata e Apelit i bëri çështjes së gjykimit për vulën e PD-së, se sa vendimit të Celibashit.

Mirëpo, nga ana tjetër, studiuesi i shkencave politike, Afrim Krasniqi, mendon se KQZ-ja nuk duhet ta linte për asnjë lloj arsyeje teknike jashtë zgjedhjeve opozitën e vendit, pasi detyrimi i institucionit, është ai i zgjidhjes së problematikave, në mënyrë që të mos dëmtohet demokracia.

“Çdo vend demokratik i bën zgjedhjet për të pasur konkurrencë, për të pasur pluralizëm jetësor, funksional dhe për të pasur alternativa. Nuk mundet për asnjë lloj arsyeje teknike, për asnjë lloj faji, të thuash, që për të qenë korrekt me germën nuk do të lejojmë opozitën në zgjedhje sepse bie i gjithë sistemi”, theksoi Krasniqi mbi çështjen.

Megjithatë, ai kritika ka pasur edhe për vetë grupimet brenda PD-së, të cilat ishin të paafta për të gjetur rrugën e dialogut me njëra-tjetrën dhe e lanë veten të përfundonin në këtë çështje.

Ndaj, për këtë arsye, ata duhet të kërkojnë falje sipas Krasniqit, jo thjesht ndaj mbështetësve të tyre, por edhe ndaj gjithë shqiptarëve.

Një çështje me rëndësi ndërkohë, mbetet edhe vijimi i sagës së PD-së në organe të tjera si KAS-i apo Kolegji Zgjedhor dhe mbi këtë, Kume mendon se gjërat mund të ndryshojnë radikalisht.

Kjo, për faktin se ndërsa komisioneri zgjidhet si rezultat i vullnetit të gjithë forcave politike dhe i kërkesës së tij vetjake, anëtarët e KAS-it janë aty vetëm si vullnet i partive.

“Krijimi i strukturave të KQZ, pas ndryshimeve që u bënë në mënyrën e konceptimit të ndërtimit të komisionit, për t’u zbatuar në Kodin Zgjedhor u vendosën dispozita kalimtare që bën që zgjedhja e anëtarëve të komisioneve të ndahet në bazë të partive politike”, parashtroi Kume, duke e bërë institucionin edhe të lexueshëm shumë thjesht.

Kjo, pasi ai mendon se që në KAS, mund të ndodhë që Partia Demokratike, me kryetar Lulzim Bashën, të regjistrohet si subjekt zgjedhor dhe të heqë kështu çdo dyshim e polemikë.

Por, nëse diçka e tillë ndodh, atëherë një tjetër kauzë e shtron Krasniqi, i cili thekson se në rast të rrëzimit të vendimit të Celibashit qoftë nga KAS, apo edhe nga Kolegji Zgjedhor një hallkën tjetër, duhen marrë masa.

“Imagjinoni sikur nesër Kolegji të vendosë krejt ndryshe. Pyetja është, a do të japë njeri dorëheqje? A do të mbajë njeri përgjegjësi publike?”, ka shtruar pyetjet politologu, duke përmbyllur se e gjitha, është deri diku një tallje me konceptin demokratik të zgjedhjeve.

Ndërsa, vijimësia, do të shihet me vazhdimin e çështjes në KAS, ku pritet edhe hedhja e shortit për relatorin e ankesës së PD-së juridike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore