Lajme

Vela: Veselenoviç dhe Radojçiç kishin bashkëpunim me akterë në Kosovë


Blerim Vela, Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Blerim Vela, Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në RTV Dukagjini se sanksionet ndaj Zvonko Veselinoviçit dhe Milan Radojçiçit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një sinjal për rajonin se krimi dhe korrupsioni në Ballkan cenon edhe sigurinë e SHBA-së.

Vela theksoi se Veselinoviçi ishte instrumenti kryesor i Serbisë për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Ai ka kritikuar edhe politikanët që kanë pritur në kryeministri personat e sanksionuar nga Amerika.

“Këto individë janë të përfshirë edhe në aktivitete politike që edhe raporti i SHBA e thekson”.

“Fatkeqësia është se këto grupe kriminale nuk funksionojnë si të vetme por kanë bashkëpunim edhe me akterë tjerë brenda Kosovës shqiptarë dhe serb”.

“Këto janë dëshmi të mjaftueshme që këto grupe të trajtohen nga institucionet tona e jo atyre t’iu hiqen fletë arrestet”, deklaroi tutje Vela.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në Evropë dhe hemisferën perëndimore, përfshirë një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestër kishin grupin e Zvonko Veselinoviçit.

Përveç tij, në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore