Lajme

Gjykimi ndaj Sali Mustafës, vazhdon dëshminë e saj dëshmitarja e shtatë


Sali Mustafa

Këtë të enjte do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në këtë seancë, e cila do të nis nga ora 10:15 do ta vazhdojë dëshminë e saj dëshmitarja e shtatë.

Të mërkurën, dëshmitarja e shtatë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në seancën ku po gjykohet ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka bërë të ditur se ajo ka marrë pjesë në një zhvarrim të një personi në fshatin Zllashë.

Për arsye të natyrës specifike të dëshmisë së saj, pjesa më e madhe e gjykimit është zhvilluar në seancë private prandaj nuk dihet se kush ishte personi që u zhvarros apo për rolin e dëshmitares në të cilën thotë se ka qenë pjesë e saj.

“Vendi ku kemi shkuar ka qenë një mal, diku në thellësi të fshatit është ndalë traktori dhe aty kemi zbritur, aty kemi takuar edhe persona të tjerë dhe babai i viktimës ka thënë se këtu është trupi i tij dhe këtu duhet ta marrim”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore