Lajme

Haxhiu: Po e dorëzojmë në Kuvend dosjen për vettingun


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se po e dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës dosjen për vettingun në drejtësi.

“Po e dorëzojmë në Kuvend një proces me peshë të madhe për ne si qeveri, për shtetin, por më së shumti për qytetarët. Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë”, tha Haxhiu gjatë një konference për media bashkë me kryeminstrin Albin Kurti.

Ajo ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen se kanë pagat më të larta në rajon, por, për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, por “dhunohen fizikisht gratë dhe vajzat, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”.

Kur është pyetur për dhunimin e 11-vjeçares, ajo ka theksuar se “ka pasur dy dorëheqje, dhe urojmë që të ketë edhe të tjera, pasi siç e  kuptojmë, ka edhe zyrtarë tjerë që nuk i kanë kryer detyrat siç duhet”.

“Kam kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Po të vepronte prokuroria me kohë, ata persona do arrestoheshim shumë më herët”, shtoi Haxhiu.

“Duhet të merren veprime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kryer detyrat e tyre”.

Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se puna e nisur nuk mund të mbarojë pa Vettingun dhe sigurimin që institucionet e parandalojnë krimin dhe gjykatat japin dënimet e merituara.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”.

“Pas konferencës do të shkojmë për takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, të cilit do t’ia dorëzojmë edhe dokumentin përkatës, meqenëse nga qeveria, tani deputetët e marrin në duart e tyre procedimin e mëtutjeshëm të Vettingut”, theksoi Kurti.

Pas konferencës, Kurti dhe Haxhiu, ia kanë dorëzuar dosjen për vetting në drejtësi, kryekuvendarit Glauk Konjufca.

Ndryshe Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore