Lajme

Haxhiu për AP: Më 25 maj në Kuvend diskutohet për tërheqjen e parave të Trustit


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili e ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale ka thënë për Albanian Post se të mërkurën e 25 majit do të diskutohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Projektligji i është shpërndarë deputetëve me 27 Prill dhe afati për trajtim të tij në lexim të parë në seancë është jo më larg se 28 ditë nga dita që u është shpërndarë deputetëve, kjo do të thotë data 25 maj është data kur Projektligji duhet të trajtohet në Kuvend”, tha Haxhiu.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Sipas tij, edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore