Gjykata Speciale

Hoxha pyetet për veprimtarinë në uzinën e Kukësit: S’kemi pasur vetura ushtarake, vetëm vetura civile


Dëshmitari Zijadin Hoxha.

Dëshmitari Zijadin Hoxha, ka vazhduar dëshminë e tij në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës ku ka thënë se s’kanë pasur automjete ushtarake.

Deklarata e Hoxhës, ka ardhur pasi që prokurori Cezary Michahlczuck pyeti dëshmitarin lidhur me uzinën e metalin në Kukës dhe veprimtaritë e saj.

“Po faktikisht, ne asnjë veturë ushtarake nuk e kemi pas. Ne i kemi pas veturat civile të gjitha kanë qenë. Unë e thash edhe dje, që ne shtet nuk kemi pas, ushtrinë tonë të rregullt nuk e kemi pas, ajo ka qenë ushtri vullnetare faktikisht”, ka thënë Hoxha në dëshminë e tij.

Sipas tij, ashtu si i kanë dhuruar njerëzit mjetet me vullnetin e mirë, ashtu edhe i kemi përdorë edhe mjetet.

“Dikush e ka sjellur një veturë, dikush e ka sjellur një veturë xhip, dikush një diçka si dhurata faktikisht se obligim nuk e ka pasur askush. Ata kanë qenë civile të gjitha”.

“Nuk mundem të e ceki një të them që kjo ka qenë ushtarake”, tha Hoxha.

Ndërsa, është pyetur edhe për disa kamionçina, të cilat janë parë në disa video të prezantuara gjatë seancave gjyqësore.

“Ato kamionçina kanë ardhur prej Zvicre. Ngjyrat i ka pasur të ushtrisë zvicerane, e përndryshe tabela ushtarake nuk kanë pas. Shumicën e veturave aty i kemi vozitë pa tabela fare se nuk kemi pasur të drejtë me ua vendos tabelat e ushtrisë shqiptare”, tha dëshmitari Hoxha.

Gjykata Speciale.

Ndërsa, lidhur me uzinën e metalit në Kukës, dëshmitari tha se ka pasur shumë lëvizje pasi që aty ka qenë logjistika kryesore.

“Po ajo ka qenë faktikisht logjistika kryesore, ka qenë për frontin e operacionit ‘Shigjeta’. Të gjitha brigadat që kanë hyrë në Kosovë në atë pjesë kah ana e Cahanit e Krumës, faktikisht kanë ardhur nga kazerma jonë aty”.

“Janë furnizuar me ushqime, janë furnizuar me uniforma me të gjitha. Ka pas qarkullim pa ndërprerë, ka ndodhë edhe natën, le më ditën, po ka ndodhë edhe natën”, tha Hoxha.

Ai e ka përshkruar vendin si jo të zhurmshëm, por që qarkullimi i njerëzve nuk është ndaluar.

“Jo, që të them i zhurmshëm faktikisht. Normal kur ka qarkullim të njerëzve shumë normal, që bahet edhe zhurma ajo dihet, por secili ka pas detyrën e vetë, secili e ka pas punën e vetë”, tha dëshmitari.

I pyetur për jelekët anti-plumb, dëshmitari tha se i ka sjellur 20 copë nga Gjermania në vitin 1998.

“Njëherë e di që i kam sjellur 20 copa. Ka qenë viti 1998”.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në rastin e Pjetër Shalës, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse.

Kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore