Lajme

Hoti thotë se Kurti ka ditur gjithçka për dialogun


Ish kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Në një postim që ka bërë në rrjetin e tij social facebook ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai ka qenë e përgatitur plotësisht sa i përket procesit të dialogut. Si Qeveri ai pohon se fillimisht kishin përgatitur një dokument të quajtur “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”.

Në këtë dokument Hoti deklaron se kanë qenë të elaboruara në detaje çështja e pavarësisë së Kosovës dhe integriteti territorial i saj si çështje të pa-negociueshme, duke pamundësuar çdo mundësi për shkëmbim të territorit të Kosovës me Serbinë.

“Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale”.

Ai tutje ka thënë se karakteri unitar i Kosovës ishte pjesë e atij dokumenti, pra pamundëson formimin e një sistemi të tretë qeverisës.

“Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut”.

Marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfshij njohjen reciproke dhe njohjen e pesë vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që kjo do t’i hapte rrugë vendit drejt anëtarësimit në mekanizma të tjerë ndërkombëtar thotë Hoti duke iu referuar dokumentit “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”. Për këtë dokument thotë se i është prezantuar edhe kuvendit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar të Kosovës.

“Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Lidhur me këtë qëndrim të Kosovës, ai thotë se janë zhvilluar shumë vizita për të marr përkrahje në Bruksel dhe kryeqytet e tjera evropiane si dhe është mbajtur edhe një samit në Paris dhe në koordinim të plotë me SHBA-të në

“Është mbajtur Samiti i Parisit me Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel, janë zhvilluar vizita në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve kyçe të BE-së për të siguruar mbështetje për këtë qëndrim të Kosovës, si dhe janë bërë koordinimet e nevojshme me SHBA”.

Ndërsa sa i përket ekspertëve, thotë se Qeveria e udhëhequr nga ai ka themeluar “Këshillin e Ekspertëve për Dialog me Serbinë” dhe ka emëruar Koordinatorin për Dialog të cilët kanë përgatitur edhe analizat e nevojshme për temat në dialog.

“Një numër i ekspertëve me përvojë janë angazhuar në dialog, të mbështetur edhe nga Qeveria Norvegjeze dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme për secilën temë të dialogut”.

Ai thotë se mbi këtë dokument ka filluar edhe procesi i dialogut i cili ishte i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt një rezultati final.

“…një proces i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt rezultatit final që është njohja reciproke”.

Hoti ka thënë se dialogu ka filluar me temën e “të pagjeturve” për të vazhduar tutje me obligimet financiare ku kanë qenë të përfshira dëmet e luftës, pensionet e kursimet bankare.

Avdullah Hoti thotë se ka pasur akordime për disa tema, mirëpo nuk mund të ketë akordim finale pa akordancën për të gjitha tema, dhe tërë procesi thotë se ka qenë transparent edhe duke raportuar në Kuvend.

“Dakordime të caktuara janë arritur në dialog. Por, ka vlejtur parimi se nuk ka asnjë dakordim final pa u dakorduar për të gjitha çështjet, para se gjithash për “për njohjen reciproke” si çështje kryesore e marrëveshjes finale”.

“Pata kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar të veçantë për mbikëqyrje të dialogut, të cilin do ta kryesonte opozita. Por, ka qenë kërkesë e opozitës së atëhershme që të raportohet drejtpërdrejt në seancë plenare. Kam mbajtur një seri të tryezave me shoqërinë civile, ku kam prezantuar qëndrimet, progresin dhe sfidat në dialog”.

Ndërsa dokumentet e qeverisë së udhëhequr nga ai thotë se ia kanë dorëzuar qeverisë së re, pra të gjitha informatat rreth zhvillimit të procesit të dialogut dhe se ka shprehur gatishmërinë për çdo informatë të nevojshme të ja përcjell kurdo që ka nevojë.

“Të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës….Kryeminsitri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka shkruar Hoti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore