Lajme

Historianët e Deçanit i reagojnë Cramonit: Vendimi për Manastirin buron nga ligjet e kohës së Millosheviçit


Manastiri i Deçanit

Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan përmes një postimi në Facebook kanë reaguar për deklaratën e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila në rrjetin e saj në Twitter ka shkruar se Qeveria e Kosovës duhet të implementojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi pronën e Manastirit të Deçanit.

Sipas tyre, vendimi anti-ligjor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit nuk duhet zbatuar pasi që buron nga ligjet e kohës së Millosheviçit.

“Ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore të kohës së Millosheviçit, gjitha shtetet demokratike të botës, përfshirë edhe Gjermaninë, i kanë luftuar dhe i kanë cilësuar diskriminues”.

“Viola Von Cramon dhe gjithë zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë duhet të dinë se Manastiri i Deçanit, nuk është i rrezikuar nga askush. Ai është i rrezikuar vetëm nga politikat dashakeqe të personelit serb të Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, përmes këtij reagimi historianët thanë se pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” duhet të i kthehen në menaxhim Komunës së Deçanit dhe se ato prona i takojnë deçanasëve, dhe jo Sava Janjiçit.

Ndryshe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të implementojë vendimit e Gjykatës Kushtetuese mbi pronën e Manastirit të Deçanit.

“Toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë thelbi i një shoqërie shumë-entike”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

“Trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota, prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është vonuar për një kohë të gjatë, sepse sundimi i ligji do të thotë trajtim i barabartë për të gjithë”, ka potencuar më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore