Lajme

Hillary Clinton do të ketë adresim në Forumin për Gratë, Paqen e Sigurinë në Prishtinë


Ish-Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Ish-Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, do të jetë njëra nga folëset në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i cili do të mbahet në Prishtinë me 15-16 prill.

Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kemi nderin e madh që ta kemi Sekretaren e 67-të të ShBA-së, Hillary Clinton, e cila do të na drejtohet neve në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024”, ka shkruar Osmani.

Fjalim në këtë forum do të mbajnë edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e shumë personalitete të tjera të rëndësishme.

Më 26 shkurt, Osmani kishte njoftuar se sërish në Prishtinë do të mbahet Forumi i Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Edicioni i parë i forumit në vitin 2022 i ishte kushtuar trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright.

Në këtë forum ishin zhvilluar 16 panele, ku ishte diskutuar për çështje të ndryshme, për arkitekturën e sigurisë, përfaqësimin e grave, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tradicionale, dhunën ndaj grave, fuqizimin ekonomik të grave si dhe tema të tjera.

Ajo po ashtu në hapje të forumit, kishte dekoruar gratë e Ukrainës me gradën presidenciale të meritave.

Me 15.9 për qind të grave të punësuara, Kosova ka nivelin më të ulët të grave në punë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 25.8 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore