Lajme

Hija e Khashoggi-t “përndjek” Justin Bieber: Anulo koncertin në Arabinë Saudite


Një imazh video i Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi, 2 nëntori 2018.

Një letër e hapur, e pazakontë, për këngëtarin Justin Bieber, ku i kërkohet që të anulojë koncertin e tij në qytetin e dytë më të madh të mbretërisë, Jeddah, të planifikuar më 5 dhjetor, pas ngjarjes së rëndë që i ndodhi gazetarit nga Arabia Saudite, Jamal Khashoggi.

Ka qenë e fejuara e këtij të fundit, e cila i ka kërkuar Bieber-it që të mos performojë për “vrasësit” e gazetarit.

Khashoggi u vra dhe u copëtua në vitin 2018, pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll – një ditë para dasmës së tij. Jashtë po priste e fejuara e tij, Hatice Cengiz.

Studiuesja dhe aktivistja në letrën e botuar të shtunën në të përditshmen amerikane “Washington Post”, i kërkon këngëtarit të anulojë pjesëmarrjen, “për t’i dërguar një mesazh të fuqishëm botës se emri dhe talenti juaj nuk do të përdoren për të rivendosur reputacionin e një regjimi që vret kritikët e tij”.

Në një letër të hapur të publikuar nga “The Washington Post”, të dielën, 21 nëntor 2021, Hatice Cengiz, e fejuara e kritikut të vrarë saudit Jamal Khashoggi, iu bashkua një kori zërash që i bënin thirrje yllit të popit Justin Bieber të anulonte koncertin e tij në Arabinë Saudite më 5 dhjetor.

Administrata e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, publikoi një raport të inteligjencës amerikane në shkurt, që implikonte Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në vrasjen e Khashoggi-t në 2018-ën në Stamboll, por e kurseu atë nga çdo ndëshkim i drejtpërdrejtë.

Princi i Kurorës ka mohuar çdo përfshirje.

Bieber – këngëtari i njohur në mbarë botën me orgjinë kanadeze – është në mesin e një grupi artistësh, të cilët do të performojnë në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite në “Formula 1” në Jeddah.

“Nëse refuzoni të jeni peng i Salman-it, mesazhi juaj do të jetë i qartë: Unë nuk performoj për diktatorët. Unë zgjedh drejtësinë dhe lirinë në vend të parave”, ka shkruar Cengiz, duke përdorur inicialet e Princit të Kurorës.

Në këtë foto të siguruar nga Pallati Mbretëror Saudit, Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, gjatë Samitit të Iniciativës së Gjelbër në Riad, Arabi Saudite, të hënën, 25 tetor 2021.

Grupet e të drejtave të njeriut u kanë kërkuar interpretuesve të flasin kundër çështjeve të të drejtave të njeriut në mbretëri.

“Arabia Saudite ka një histori të përdorimit të personave të famshëm dhe ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare për të shmangur shqyrtimin nga abuzimet e saj të përhapura”, u shprehën nga organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch” të mërkurën.

Grupi i avokimit u kërkoi interpretuesve, të cilët përfshijnë gjithashtu reperin A$AP Rocky, DJ-të David Guetta dhe Tiesto dhe këngëtarin Jason Derulo, “të flasin publikisht për çështjet e të drejtave ose, kur pastrimi i reputacionit është qëllimi kryesor, të mos marrin pjesë”.

Në këtë fotografi të dosjes së 15 dhjetorit 2014, gazetari saudit Jamal Khashoggi flet gjatë një konference për shtyp në Manama, Bahrein.

Khashoggi ishte një kolumnist amerikan me origjinë saudite.

Ai shkroi opinione për “Washington Post”, ku kritikonte Princin e Kurorës Saudite. Khashoggi u vra dhe u copëtua nga një ekip operativësh të lidhur me princin në konsullatën e mbretërisë në Stamboll.

Një hetim mbi vrasjen nga një raportues special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vrasjet jashtëgjyqësore, Agnès Callamard, më vonë zbuloi se Khashoggi ishte vrarë nga një skuadër kriminelësh saudite, në atë që ajo e përshkroi si një vrasje jashtëgjyqësore të paramenduar dhe të sanksionuar nga shteti.

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë përcaktuar veçmas me një shkallë sigurie mesatare – deri në të lartë – se vrasja ishte urdhëruar nga Princi i Kurorës Saudit, Mohammed bin Salman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore