Lajme

SHBA nuk ka treguar nëse princi Mohammed është në listën e të ndaluarve


Departamenti i Shtetit Amerikan ka refuzuar të njoftojë nëse Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, është një nga zyrtarët sauditë që u nënshtrohen kufizimeve të vizave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjigje të çështjes “Khashoggi”.

Ndalimi erdhi pasi Jamal Khashoggi, 59-vjeçar, një gazetar saudit dhe kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me Princin e Kurorës. Ata, më pas, e copëtuan trupin e tij.

Administrata e Biden-it ka thënë se 76 shtetas sauditë u nënshtrohen kufizimeve, i cili gjithashtu mbulon ata që mendohet se kanë qenë të përfshirë në përpjekjet për të frikësuar disidentët sauditë në SHBA.

Deklarata e Price

Të hënën e 1 marsit, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Ned Price, nuk  tregoi nëse Princi Mohammed ishte në listë.

“Ne nuk jemi në gjendje të detajojmë identitetin e atyre që janë përfshirë në atë listë me 76, as nuk do të jemi në gjendje të shikojmë paraprakisht ata që mund të shtohen në të ardhmen”.

Presidenti Joe Biden është shprehur se administrata e tij do të bëjë të hënën, më 1 mars, një njoftim lidhur me Arabinë Saudite, pasi raporti i shërbimeve të zbulimit del me konkluzionin se Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, kishte miratuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

E fejuara e gazetarit, kërkesë për ndëshkim të Princit

Të hënën, e fejuara e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi kërkoi “ndëshkimin pa vonesë” të Princit saudit të Kurorës, Mohammed bin Salmani, si personi që urdhëroi vrasjen e gazetarit.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, Hatice Cengiz tha se, “nëse Princi i Kurorës nuk ndëshkohet” do të sinjalizojë përgjithmonë se fajtori kryesor mund të bëjë çfarë të dojë, pa u ndëshkuar, duke na rrezikuar ne të gjithëve. Kjo do të jetë një njollë për njerëzimin”, shkruante më tej ajo.

Price-SHBA-Arabi

Price tha se SHBA ishin “përqendruar në sjelljen e ardhshme” të Arabisë Saudite dhe i bëri thirrje monarkisë që të shpërndajë forcën e ndërhyrjes së shpejtë të princit.

Ai renditi komponentët e politikës së rikalibruar si përfshirjen e përfundimit të shitjeve të armëve që mendohet se do të përdoren në luftën e udhëhequr nga Sauditët në Jemen, duke shtuar se shitjet e armëve në të ardhmen do të vlerësohen në një “rast pas rasti”.

Price tha gjithashtu se SHBA-ja ka shtuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe kishin premtuar gati 191 milionë dollarë ndihmë shtesë humanitare amerikane.

“SHBA do të monitorojë nga afër të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite, duke shtuar se mirëpret lirimin e disa të burgosurve politikë dhe zgjidhjen e çështjeve të të drejtave të grave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore