Lajme

Hetimi britanik: Reklamat në TikTok të kontrabandimit, me vlerë 20 mijë paund


E përditshmja britanike “Daily Mail” ka bërë një kërkim mbi ofertat dhe shërbimet e kontrabandimit të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar (MB) në TikTok dhe media të tjera sociale.

Ata reklamojnë çmime deri në 20 mijë paund, me video hap pas hapi për itinerarin që ndiqet.

Sipas “Daily Mail”, këto ilustrojnë shkallën e problemit me të cilën po përballet ministrja e Brendshme, Priti Patel, e cila kohët e fundit vizitoi Shqipërinë, ku nënshkroi një marrëveshje, sipas së cilës përshpejtohen dëbimet e kriminelëve dhe azilkërkuesve.

Numri i migrantëve, të cilët kalojnë Kanalin, ditët e fundit është rritur, duke arritur në më shumë se 8 mijë deri më tani. Kjo shifër e deritanishme është e barabartë me shumatoren e vitit 2020.

“Një kontrabandues njerëzish, llogaria e të cilit në TikTok është parë nga dhjetëra mijëra njerëz, mburret në profilin e tij: ‘Të gjithë të interesuarit, të cilët dëshirojnë të shkojnë në Angli, kontaktojnë në inbox-in tim. Udhëtimi garantohet 100 për qind’. Videot e tij paraqesin fotografi të Union Jack dhe Big Ben me komentin: ‘Udhëtim i sigurt nga Shqipëria në MB. 23 mijë euro”, shkruan “Daily Mail”.

“Daily Mail” nënvizon se, në disa video të tjera, ai përqesh përpjekjet britanike për të goditur migracionin e paligjshëm, duke treguar pamjet e një sulmi të policisë në një shtëpi ndërsa shiste vizat në treg të zi për të futur njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar.

Një përdorues tjetër i TikTok, i quajtur “England Albania”, publikoi një video, ku tregohen disa shqiptarë brenda një kamioni, teksa thonë se po i drejtohen Britanisë.

Një adresë shqiptare – e fshirë kohët e fundit – e gjetur nga “Mail” në TikTok përmbante udhëzime se si të futesh në Britaninë e Madhe nga Franca, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Portugalia.

I quajtur “Udhëtim në Angli”, ai përdorte hartat e Google dhe grafikë të bërë në mënyrë profesionale sesi të shkosh në MB nga Caen në Francë.

Gjithashtu, “The Mail” gjeti kontrabandues shqiptarë, të cilër  reklamonin në një profil në Instagram të quajtur Rrugëtim-Belgjikë-Londër me një numër kontakti në Mbretërinë e Bashkuar.

Në faqen private në Facebook “Shqiptarët në Londër”, e cila ka mbi 15 mijë anëtarë, një shqiptar, i cili përdor emrin Leonard Sufa, postoi një foto të një kamioni me komentin: “Nesër pasdite në Angli. Më kontakto në DM”.

Vitin e kaluar, “Mail” ekspozoi një trafikant shqiptar të qenieve njerëzore, Kledjan Kurtaj, i cili reklamoi në Facebook për një rrugë “të lehtë” në Britani përmes Dublinit duke përdorur dokumente të rreme.

Drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Krimit, Rob Jones, për komitetin e punëve të brendshme tha se bandat kriminale përdorin rregullisht kanalet e mediave sociale për të publikuar rrugët e kontrabandës dhe për të reklamuar dokumente të rreme ose të vjedhura.

Ai tha se faqet më të shquara ishin Facebook, Instagram, Twitter dhe Telegram, por postimet u panë gjithashtu në YouTube dhe TikTok.

Një burim i Policisë Kufitare Shqiptare tha për “Mail” se shumica e trafikantëve ishin të moshës midis 18 dhe 22 vjeç, nga zona të varfra të Shqipërisë dhe janë rekrutuar nga rrjetet kriminale për të punuar si fermerë të kanabis-it në MB.

Sipas burimit zyrtar shqiptar, ata pranojnë të bëjnë këtë udhëtim dhe të punojnë si fermerë të kanabisit, derisa të dëmshpërblejnë koston e rrugës që përllogaritet në 20 mijë paund.

Një zëdhënës i TikTok tha për “Daily Mail” se videot e trafikimit janë fshirë.

Ai shtoi se TikTok ka ndaluar përgjithmonë disa adresa për shkeljen e politikave dhe se ata do të vazhdojnë të marrin masa atje ku është e nevojshme.

Facebook dhe Instagram gjithashtu filluan një hetim dhe hoqën disa nga postimet e theksuara nga “Mail”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore