Lajme

Hetemi s’e sheh si “problematike” largimin e kryetarëve shqiptarë nga Komunat në Veri


Lulzim Hetemi

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk e ka cilësuar si “problematike” largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat të banuara me shumicë serbe në Veri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka lejuar, nuk ka problem edhe nëse na zëvendësojnë me partitë serbe që marrin pjesë në zgjedhje”, ka potencuar Hetemi në një intervistë për mediat serbe me seli në Kosovës, pas takimit që ky i fundit të mërkurën realizoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit.

I pyetur për takimin me Kurtin, Hetemi tha se e ka ditur për vizitën e sotme të kryeministrit në Veri, por për arsye të sigurisë agjenda nuk ka qenë publike.

“Me Kurtin, kemi biseduar për një kompleks sportiv nëpër Ibër, ku Federata e Futbollit të Kosovës më herët ka premtuar se do të rregullojë një fushë futbolli dhe tenisi, kështu që edhe kryeministri na ka premtuar se do të investojë në atë kompleks”, ka potencuar ai.

Sipas tij tema kryesore e takimit me Kurtin kanë qenë planet investuese të Qeverisë së Kosovës në këtë komunë.

Duke folur për regjistrimin e popullsisë që pritet të fillojë më 5 prill, Hetemi është shprehur i bindur se nuk do të ketë asnjë problem në këtë aspekt.

Kurti, të mërkurën, ka vizituar Komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe të Mitrovicës së Veriut.

Ai fillimisht ka takuar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Pas Leposaviqit, Kurti ka vizituar Komunën e Zubin Potokut për t’u takuar me kryetarin e kësaj komune, Izmir Zeqirin.

Kurti në Zubin Potok ka përuruar pllakën përkujtimore e ndërtuar për nder të policit kosovar, Enver Zymberi, në vendin ku ky i fundit u vra në vitin 2011.

Të pranishëm në ketë përurim përveç Kurtit, ishte edhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, Ministri i Punëve te Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kryeministri ka vizituar edhe Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku takoi kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Kurti në Veri, viziton Komunën e Leposaviqit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi që më 21 prill të mbahet votimi për largimin e katër kryetarëve të komunave Veriore, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Caktimi i datës së largimit të kryetarëve të komunave Veriore erdhi pas procesit të suksesshëm të  mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të Peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Në Veri të Kosovës, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan.

BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.

Që nga ajo kohë deri më sot masat e BE-së nuk janë larguar ende ndërsa Kosova po vuan pasojat e tyre.

Përveç në aspektin financiar – pezullimin e projekteve, granteve e fondeve të ndryshme – masat e BE-së kanë ndikuar edhe në imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Pas Leposaviqit, Kurti vendos lule në pllakën përkujtimore të Enver Zymberit në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore