Lajme

Haziri me kritika ndaj Qeverisë për mosndarje të buxhetit për stadium


Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi nuk e kanë ndarë asnjë cent për vitin 2022 për rindërtimin e stadiumit të qytetit.

Haziri deklaroi se kjo është goditje e qeverisë për Gjilanin, duke shtuar se nuk do ta lejojë këtë.

“Mosndarja e buxhetit nga ana e qeverisë për stadiumin për vitin 2022 është goditje për Gjilanin, por që ne nuk do ta lejojmë këtë”.

Ai ka deklaruar se do të punoj me të gjitha grupet politike për ta përmisuar këtë.

“Nuk është buxheti i një ministri apo një qeverie, buxheti është në duar të 120 deputetëve”, ka thënë Haziri në një konferencë për media.

Po ashtu, ai ka theksuar se Qeveria ka treguar mungesë vullneti për mosndarje të buxhetit edhe për dy projekte të tjera kapitale.

“Nuk është mungesë vullneti vetëm për përfundimin e stadiumit, mungon buxheti edhe për qarkoren e cila e lidh qytetin e Gjilanit me autostradën”.

Qeveria e Kosovës.

“Mungon po ashtu mosplanifikimi buxhetor për pjesën e autostradës nga Gllama e Bresalcit në drejtim të Konçulit. Pra, mospërfshirja për vitin e ardhshëm edhe e këtij programi nënkupton për ne anashkalim buxhetor dhe mos kujdes”.

Më 29 tetor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në shumën prej 2 miliardë e 748 milionë euro.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, buxheti ka një rritje prej 8.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti apo 220 milionë euro më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore