Kosova

Haziri komenton zhvillimet gjeopolitike: Roli i Ramës në dialogun Kosovë-Serbi i një rëndësie të madhe për rajonin


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, tha se është fort e rëndësishme që përveç kancelarit gjerman, presidentit francez, dhe kryeministres italiane – Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni – kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka marrë një rol udhëheqës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Tashmë formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, ku prioriteti i parë është Kosova dhe Serbia, nuk është vetëm nën kujdesin e treshes së BE-së Scholz-Macron-Meloni, por edhe kryeministri Rama nga regjioni ynë ka marr rol kritik. Kjo ka rëndësi të madhe dhe duhet t’i gëzohemi”, shkroi nënkryetari i LDK-së, derisa komentoi zhvillimet gjeopolitike në rajon e botë.

Ai theksoi se kriza që shtrihet nga Lindja e Mesme, ku Irani lëshoi më shumë se 300 raketa dhe dronë drejt Izraelit, agresioni rus në Ukrainë, por edhe avancimi i raporteve midis Kinës dhe Koresë së Veriut, do të kenë ndikim të keq në Ballkanin Perëndimor, derisa e cilësoi problem faktin që Macron takoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por jo kryeministrin e Kosovës.

Haziri kujtoi se paqja e fituar 25 vjet më parë pas intervenimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) “sot rrezikohet nga vetë ne” derisa u referua në deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili njoftoi se SHBA-ja ndihmoi Izraelin që t’i rrëzonte “pothuajse të gjithë” dronët e Iranit.

“Roli i SHBA-së dhe aleateve është demostruar me forcë para 25 vitesh. Luften e kemi fituar por sot paqen e kemi rrezikuar vetë ne. Ata që kanë harruar këtë, le ta shohin një pjesë të saj sot se çka do të thotë miqësi e përhershme me SHBA-të, të cilët e mbrojnë aleatin në çdo kohë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore