Kosova

Haxhiu: Rezistenca për Vetingun nuk lë shije të mirë


Ministrja e Drejtesise Albulena Haxhiu

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Lëvizja FOL, të martën e 25 janarit kanë mbajtur tryezë diskutimi për “Reformat në Sistemin e Drejtësisë gjatë vitit 2021: Sfidat dhe arritjet”.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka diskutuar për reformat në sistemin e drejtësisë gjatë vitit të kaluar, duke thënë se nuk ka pritur që të ketë kaq shumë rezistencë në sistemin e drejtësisë, rreth Vetingut.

“Vet se jam ithtarë për trajtimin e projektligjeve të përshpejtuara por kemi marrë komentin e Venecias për dokumentin. Nuk kam prit qe do ketë aq shumë rezistencë në sistemin e drejtësisë. Kjo nuk më le shije të mirë pasi që ka rezistencë kjo diçka flet”, është shprehur Haxhiu.

Ndonëse mandatet e kaluara nuk kanë pasur rezultat, Haxhiu thotë se disa punë janë prioritete dhe nuk mund të anashkalohen.

“Ndoshta kemi pas shqetësimin mos po na rrezojnë si mandatin e pare e t’i nisim të gjitha punët ndoshta mbërrimë diçka. Disa prej punëve janë prioritete dhe në asnjë rrethane nuk duhet të zmbrapsemi. Strategjia për sundimin e ligjit nuk është hartuar nga qeveria jonë por këtu kanë marrë pjese ekspert dhe ne si qeveri jemi pajtuar ta procedojmë”.

Albulena Haxhiu

Megjithëse ka pasur rezerva lidhur me Vetingun, Ministrja e Drejtësisë  thotë se tashmë e kanë gjetur zgjidhjen.

“Pas miratimit janë shprehur disa rezerva lidhur me Vetingun. Besoj që tashmë kemi gjetur një pajtim dhe me 31 janar kemi mbledhur komunitetin dhe ne ju kemi bërë thirrje edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vetë BIRN është lajmëruar. Megjithatë ky komunitet do të mbahet me 31 janar”, ka thënë ajo.

Ajo u zotua se nuk do të ndalet për një iniciativë të drejtësisë.

“Është kërkesë shoqërore. Jemi duke u përpjek të kemi konsensus edhe me BE-në por edhe me miqtë tjerë ndërkombëtar duke përfshirë edhe Ambasadën Amerikane”.

Sipas saj opzozitës nuk i ka munguar ftesa por, ata nuk kanë shprehur interesim për t’u takuar.

“Unë tre herë kam ftuar opozitën me keqardhje them se deri më tani nuk kam pa as interesin më të vogël për t’u takuar. Neve na duhet mbështetja e tyre në kuvendin e Republikës së Kosovës. Ata kanë thënë se do ta ofrojmë bashkëpunimin e tyre por nuk kanë pasur as një reagim. Unë jam e gatshme t’i ftoj sërish sepse është për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Ministria e Drejtësisë duhet të ketë një raport te shëndoshë  lidhur me parterët ndërkombëtar për procesin e Vetingut.

“Vetingu është përgjegjësi e Qeverisë. Sa më shpejt qe behet kursejmë kohe dhe brengat që po vuajnë qytetarët e Kosovës. Ambasada Britanike vitet e fundit kanë qenë Lider dhe kanë investu dhe me marr një përgjigje negative në heshtje nga këshilli prokurorial është shume e keqe. Miratimi i ligjeve me procedurë të përshpejtuar është i pafalshëm. Ligji për KPK shkoj me një procedurë për 5 dit. Ligji për pasurin e konfiskueshme është e njëjtë”, ka thënë Miftaraj.

Ndërsa pas publikimit të raportit të Transparency International, që ka renditur Kosovën në vendin e 87-të, për luftën kundër korrupsionit nga 180 vende, Haxhiu ka thënë se ky është vetëm fillimi, pasi synojnë që brenda këtij mandati Kosova të arrijë mesataren globale e t’i afrohet mesatares evropiane.

“Sot, Transparency International ka njohur progresin në luftën kundër korrupsionit duke renditur Republikën e Kosovës në vendin e 87-të nga 180 vende. Në vitin 2020 ishim në vendin e 104, kurse sot jemi 17 vende më poshtë! Kosova ka marr 39 pikë nga 100 të mundshme, por ky është vetëm fillimi. Synimi ynë është që brenda këtij mandati, Kosova të arrijë mesataren globale e ti afrohet mesatares evropiane”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe hapat që janë ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit.

“Përkushtimi ynë në luftën kundër korrupsionit, përveç kompletimit të pakos ligjore Anti-korrupsion, përkthehet gjithashtu përmes realizimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Vettingut në drejtësi, jetësimit të Byrosë Shtetërore për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme por edhe me mbështetjen buxhetore për sistemin e drejtësisë. Kosova ka shumë sfida, por edhe ne kemi vullnet të madh dhe nuk ndalemi deri në jetësimin e zotimeve tona”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore