Lajme

Haxhiu në tryezën e organizuar nga gratë deputete: Në fokus punësimi i grave viktima të dhunës në familje


Albulena Haxhiu, Ministre e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë

Gratë deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë organizuar këtë të hënë një tryezë diskutimi lidhur me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen në Kosovë.

Deputetja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fuqizimi i grave ndodh vetëm kur ato pavarësohen ekonomikisht.

“Si ministre e Drejtësisë brenda mandatit qeverisës kam qenë e përkushtuar në fuqizimin dhe pavarësinë ekonomike të vajzave dhe grave”.

“Realisht gratë i fuqizojmë vetëm kur ato pavarësohen ekonomikisht. Së fundmi kemi qenë në diskutim me ministrin e financave në kuptimin që përveç masave që janë ndërmarrë për punësimin e grave të adresojmë edhe një masë tjetër që është për punësimin e viktimave të dhunës në familje”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tregoi se janë duke përgatitur hartimin e masave që krahas punësimit të grave të punësohen edhe viktimat e dhunës në familje.

Krahas kësaj, ajo tha se rreth 5 mijë gra janë punësuar përmes masave të Qeverisë së Kosovës.

“Konsiderojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, prandaj jemi në përgatitje të një koncepti se të bëjmë të mundshme punësimin e vajzave dhe grave viktima të dhunës”, shtoi Haxhiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e grupit të grave deputete në Kuvend, Tinak Kurti tha se krahas punësimit të grave duhet të punohet edhe tek edukimi i hershëm në fëmijëri.

“Nuk mjafton një aspekt i punësimit të grave, por duhet të punohet edhe tek edukimi i hershëm në fëmijëri. Leja e lehonisë po është vetëm njëri prej aspekteve në mesin e shumë prej tyre që duhet të rregullohen. Neve po na takon si deputete që të rishikojmë me atë sa mundemi”, u shpreh ajo.

Kurse, udhëheqësja e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim, Sandra Horina tha se dhuna në familje është rritur për 30 për qind në Kosovë. Sipas saj, pandemia dhe kriza ekonomike po prek më shumë gratë.

“Partneri ynë, Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë një hulumtim, dhuna në familje është rritur për 30%, jo vetëm në Kosovë, edhe në Austri, por edhe në shumë vende”.

“Gratë ishin më të prekurat nga pandemia, po ashtu edhe tani kemi krizën ekonomike si rrjedhojë e luftës. Pra, të cenueshmit janë ata që preken kryesisht dhe bartin mbi kurrizin e tyre pasojat e shëmtuara të të gjitha këtyre ngjarjeve”.

“Pra, kur flasim për kornizën dhe pse gratë janë të cenueshme, fakti është se ato kryesisht kujdesen për fëmijët. Pra, nëse nuk ka kornizë institucionale dhe ligjore, që do t’i lejojë të marrin pushimin e lehonisë në qetësi, atëherë ose nuk do të punësohen, dhe ne shohim këtu, 30% më shumë gra se meshkuj diplomohen në këtë vend, por 30% më pak janë në tregun e punës”, theksoi Horina.

Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë edhe deputete të tjera të Kuvendit, ku theksuan nevojën e fuqizimit të rolit të gruas, derisa u konsiderua shqetësuese që vetëm 20 për qind e grave janë në tregun e punës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore