Lajme

Haxhiu kërkon nga Qeveria heqjen e masave kufizuese kundër COVID19


Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së

Heqja e disa kufizimeve dhe ndryshimi i masave anti COVID  në Kosovë, është kërkuar dhe akoma po vazhdon të kërkohet nga opozita.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i shfuqizojë masat kufizuese antiCOVID, pasi që sipas tij janë jo efektive.

“Qeveria duhet ta shfuqizojë vendimin për masat kufizuese për COVID-19, dhe ta liroj vendin nga masat joefektive. Çfarë masa janë këto, kur personat e diagnostifikuar me COVID, e të karantinuar në Austri vijnë për pushime në Kosovë?!”.

“Për çka ka vendos Qeveria kufizime kur të infektuarit nga shtetet tjera pa asnjë problem hyjnë në Kosovë, e në anën tjetër masat i respektojnë vetëm në kufirin me Shqipërinë”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se “Qeveria është treguar e paaftë në menaxhim të pandemisë dhe zbatim të masave që i ka vendos”.

“Masat kufizuese të Qeverisë po përdoren vetëm për ndëshkim të qytetarëve e bizneseve për mbushje të Buxhetit të Shtetit.

Vendet si Anglia, Franca, Danimarka, Norvegjia etj., tani i kanë hequr masat kufizuese, sepse hospitalizimi dhe vdekshmëria nga Omicron është më e ulët se e gripit sezonal. Qeveria duhet të merr vendim të largoj masat kufizuese e të hapet vendi, pasi më nuk kanë asnjë kuptim masat në situatën aktuale”, thotë ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa kufizuese kundër coronavirusit më datën 21 janar, këto masa pritet të ndryshohen gjatë ditës së sotme. Ndërkaq, në vend ka vazhduar rritja e rasteve të reja me coronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se këtë të enjte do të bëhet shqyrtimi i masave kundër Covid-19, nga komiteti për menaxhimin e pandemisë, duke filluar nga ora 14:00.

Në këtë mbledhje do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe analizimi i vendosjes së masave të reja.

Raportohet se ora policore mund të përgjysmohet ose edhe të largohet, kurse orari për gastronominë do zgjatet deri në ora 23:00.

Edhe masa për dëshminë e tri vaksinave për të hyrë në Kosovë pritet të hiqet.

Avokati i Popullit para pak ditësh ka dalë me një opinion juridik përmes së cilit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i rishqyrtojë masat anti-COVID që janë në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore