Lajme

Haxhiu dhe grupi koordinues dakordohen për një takim urgjent për rastin e 11-vjeçares


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Grupit Ndërministror Kundër Dhunës në Familje ka shprehur shqetësimin e saj për moskoordinimin institucional dhe mosveprimin e duhur në rastin e 11 vjeçares.

Përmes një komunikate për media nga ministria e Drejtësisë është thënë se janë dakoorduar për një takim urgjent të personave përgjegjës.

“Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim”.

“Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajesh secili veprim dhe mosveprim i tyre”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera u tha se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike ka hyrë në fuqi me 1 korrik 2015 dhe asnjëherë nuk ka filluar të implementohet.

“Mbikëqyrja elektronike do të kontribuojë në parandalimin e dhunës apo vrasjeve duke lehtësuar monitorimin e lëvizjes së dhunueseve”.

Po ashtu, u prezantua dakordimi i arritur për formën e raportimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe  Dhunës ndaj Grave 2022-2026 si dhe procesi për vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e hallkave elektronike për dhunuesit.

“Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre”.

“Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokuroial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë”.

Po ashtu Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar buxhetin për blerjen e hallkave elektronike dhe tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar procedurat për pajisjen me hallka elektronike.

Rasti i 11 vjeçares

Më 3 shtator, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, kishte kumtuar lajmin se janë arrestuar gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku 11 vjeçarja që u dhunua me 27 gushti të 2022 ishte raportuar si person i zhdukur.

Në muajin gusht të 2022 ishte protestuar në Prishtinë nga mijëra qytetarë për dy herë radhazi.

Ndërkaq, për këtë rast ishte shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë.

Për rastin e saj kishin reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Më 24 shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte vendosur për dënimin ndaj katër të akuzuarve për dhunimin ndaj 11 vjeçares.

E.R është dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili.

Ndërsa SH.K është liruar nga akuza në mungesë të provove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore