Shqipëria

Hasani shpreson se hapat e fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE do të hidhen në prill


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është shpresëplotë se në prill do të ndërmerren edhe hapat e fundit për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, pas një votimi të Komitetit Politik të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organ.

Përmes një publikimi në median sociale X, ish-Twitter, Hasani uron Kosovën për marrjen e ftesës për të qenë anëtare në KiE.

Ai e quan këtë një hap të rëndësishëm nga Komiteti, falë edhe punës së vazhdueshme dhe përkushtimit të Kosovës për të shfaqur vlera demokratike, shteti ligjor dhe vlera në fushën e të drejtave të njeriut.

“Presim që sesioni i prillit i Asamblesë Parlamentare t’i hapë rrugën hapit të fundit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, përmbyll Hasani mesazhin e tij.

Më herët, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e ka përshëndetur rekomandimin e Komitetit Politik të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organ.

Përmes një komunikate për media, Nikolla shkruan se tashmë Kosova gjendet një hap më pranë KiE-së.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, përshëndes këtë sukses të merituar të Kosovës dhe rikonfirmoj angazhimin tonë për të vijuar mbështetjen për Kosovën deri në anëtarësimin në KiE, në organizata të tjera ndërkombëtare, shtimin e njohjeve dhe rritjen e kontributit të Kosovës në marrëdhëniet dhe zhvillimet ndërkombëtare”, shkruan Nikolla.

Më herët, ka reaguar lidhur me çështjen edhe zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetja shqiptare Blerina Gjylameti.

Gjylameti nënvizoi se raporti gjithëpërfshirës e bën këtë dokument një moment historik që vendos themelet për një Kosovë të vërtetë, të shëndoshë dhe të begatë, të bazuar në parimet e Këshillit të Evropës për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Kosova ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm duke u përpjekur që të jetë pjesë e vlerave thelbësore të Këshillit të Evropës, edhe pse skepticizmi dhe ngurrimi e kanë mbajtur peng të qëndrimit të saj në pragun e kësaj Organizate për kaq shumë kohë”, përmend ajo.

Më tej, shton se të gjithë kanë detyrën dhe mundësinë vendimtare për ta korrigjuar këtë.

Për Gjylametin, Kosova është dashur të jetë anëtare e Këshillit të Evropës menjëherë pas pavarësisë së saj si e drejtë legjitime siç ka qenë e të 46 anëtarëve të kësaj Organizate,

Më tej, ajo u shpreh po ashtu se ky anëtarësim nuk ka të bëjë me pranimin ose jo të njëri-tjetrit, por pranimin e përpjekjeve të secilit për të kontribuar në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Është një gjest që të gjithë anëtarët e ulur rreth tryezës pranojnë misionin për të cilin është krijuar kjo Organizatë. Është një platformë që nuk është marrë kurrë me vendosjen e kufijve midis shteteve, por me vendosjen e kufijve midis asaj që i bën shoqëritë tona të përparojnë dhe asaj që i bën ato të izolohen nga kjo agorë vlerash.”.

Nuk ka dyshim megjithatë sipas Gjylametit, se Kosova është pjesë e këtyre vlerave.

Ajo përmbyll, duke shkruar se nuk mendon se dy milionë kosovarë janë qytetarë të dorës së dytë dhe se “asgjë nuk mund të errësojë të drejtën e tyre për të pasur qasje të ngjashme në vlera të tilla si të gjithë ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore