Zgjedhjet në Kosovë

Haradinaj s’ka vija të kuqe për askënd, as për Vetëvendosjen


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është i hapur për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në rast se kjo e fundit fiton zgjedhjet.

Haradinaj, që ka shpallur kandidaturën e tij për president, në emisionin “Balkan Talks” ka thënë se AAK nuk ka vija të kuqe, dhe pret koalicion me çdo parti.

Në rast bashkëpunimi, pikëpyetja do të vendosej pikërisht te posti i presidentit, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka për kandidate aleaten Vjosa Osmani, kurse Haradinaj.

“Ne nuk kemi vija të kuqe dhe presim çdo parti për koalicion pas zgjedhjeve. Nëse Vetëvendosja fiton zgjedhjet jemi të hapur për bashkëpunim me të. Duhet ekuilibër mes forcave politike dhe këtu ofrohemi ne për mbështetje”, deklaron Haradinaj.

Të martën ka nis fushata zgjedhore në Kosovë. Ndryshe nga herët e tjera, edhe për shkak të pandemisë, nuk ka pasur organizime të veçanta nga partitë politike për nisjen solemne të fushatës.

Kjo fushatë, meqë janë zgjedhje të jashtëzakonshme, do të zgjasë vetëm 10 ditë.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike. Ndërsa votues, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së janë një milion e 794 mijë e 862.

Kjo shifër e votuesve është më e vogël se në zgjedhjet e kaluara. Janë 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kjo për arsyen e pastrimit të listave zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore