Lajme

Haradinaj: Kryeministri Kurti i ka “palu veshtë”


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

“Qasja e Kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit, është një qasje e çuditshme ndaj Serbisë, në fillim e kemi parë një retorikë të guximshme e kundërshtuese por tash i ka paluar veshtë fort, nuk e kuptojmë pse”.

Kështu është shprehur Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kur gjatë një konference për media është pyetur nga gazetarët se si e sheh ai qasjen e qeverisë në aspektin diplomatik.

Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për njohje të reja ndaj Kosovës si shtet, ani pse siç thotë Haradinaj, “është e vështirë të realizohet një plan i suksesshëm në politikën e jashtme ose në kundërshtimin e planeve të Serbisë ose në marrjen e njohjeve të reja sepse moratoriumi kalon më katër shtator dhe pas kësaj date Serbia do të veprojë në dëmtim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Politika e jashtme është temë e madhe dhe Serbia bashkëpunon me aleatët e vet dhe qeveria jonë duhet të gjejë mënyra për të mobilizuar aleatët tanë që t’i kthejë në partnerë aktiv në mënyrë që të kundërshtohet qasja e Serbisë por edhe të arrihet ndonjë njohje e re”, shtoi ai.

Haradinaj ka përmendur edhe pikën për gazsjellës në Marrëveshjen e Uashingtonit, duke thënë se kryeministri Kurti po e vonon qëllimisht.

Lidhur me këtë çështje, Haradinaj ka pyetur Kurtin “pse jeni kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus sikurse një pjesë e Evropës?”.

“Kur kam qenë kryetar qeverie, Vetëvendosje dhe Haki Abazi atëherë kanë qenë mjaft të zëshëm për energjinë me qymyr në emër të mbrojtjes së ambientit. Amerika i ofron Kosovës diversitet energjetik, pra na bie gazin amerikan prej Greqisë dhe na ofron 200 milionë pare dhe Kosova po e dështon këtë projekt me vonesa”.

“Tani ua bëj pyetjen atyre që ishin kundër qymyrit. Pse janë kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus, sikurse një pjesë e Evropës? Pra, pyetja për Albinin dhe për tjerët a po e pritni gazin rus dhe për këtë po i dështoni 200 milionët e MCC dhe s’po e lejoni ardhjen e gazit amerikan?”, ka thënë ai.

Ai madje e ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Kurti, për qasjen ndaj ekonomisë gjatë pandemisë.

Haradinaj ka theksuar se duke e parë nga afër “punën e përditshme të qeverisë, vendimet, planet e lajmëruara e vonesat në implementim, jemi të shqetësuar se ekonomia e Kosovës po merr goditje dhe po shkon në drejtim negativ”.

Shqetësimi më i madh për Haradinajn është heqja e masave antidamping për bllokat e Serbisë.

“Ajo që na shqetëson shumë sa i përket ekonomisë por që lidhet me pavarësinë e integritetin nacional është heqja e masave antidamping për produktet e dyshimta të Serbisë si rasti i bllokave dhe rritja e importit nga Serbia”, është shprehur Haradinaj.

“Deri më tani, ekonomia dhe veçanërisht sektori privat nuk është trajtuar nga qeveria. Përmbajtja e pakos së ashtuquajtur ringjallje ekonomike është komplet mashtrim”, shtoi ai.

AAK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të trajtojë seriozisht ekonominë, si procesin e rimëkëmbjes ashtu edhe politikat ekonomike.

“Për ta trajtuar atë rekomandojmë masa të reja dhe të menjëhershme në vlerë prej 280 milionë eurove”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore