Lajme

Halimi, Kurtit: Vendi nuk zhvillohet duke prezantuar realitet fiktiv


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj prezantimit të kryeministrit Albin Kurti në Forumin e Vjenës se në Kosovë ka pasur rritje ekonomike.

Sipas Halimit, kryeministri po mundohet që të manipuloj qytetarët me deklarata të tilla.

“Derisa qytetarët janë duke u ballafaquar çdo ditë me kriza të shumëfishta, si rezultat i inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve, kryeministrit i kujtohet të propagandojë për rritje ekonomike, ‘rritje’ e cila është 5 herë e gjysmë më e ultë se inflacioni prej 20% në produkte bazike, sipas Bankës Botërore. Rritjen reale prej 3.7%, mundohen të na e shesin për 4.9%”, ka shkruar Halimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo tutje ka thënë se vendi, por edhe sektori i ekonomisë, mund të përmirësohet vetëm përmes punës.

“Kryeministri, duhet ta ketë të qartë se vendi nuk zhvillohet duke prezantuar realitet fiktiv, por duke ndërhyrë për ta përmirësuar atë. Kjo arrihet me një program vizionar, i cili ngërthen në vete projekte madhore dhe politika të mirëstudiuara fiskale”.

“Vizioni që s’e kanë dhe projektet që s’i pamë, janë arsyeja për pikën ku ramë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës ka deklaruar se Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon prej 10.7 për qind.

Kryeministri u shprehu se që nga paslufta, kjo rritje është më e madhja.

“Ekonomia e Kosovës është duke u rritur shpejtë, për çka është me rëndësi demokracia jonë po forcohet, kemi ardhur më pranë tek aspiratat tonë demokratike”.

“Jam shumë i kënaqur që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor i kanë nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme në Berlin. Marrëveshjet shpejtë pritet të ratifikohen nga Kuvendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ai.

Kurti, bëri të ditur se ka kërkuar që Forumi Ekonomik i radhës të mbahet në Prishtinë.

“Në misionin ekonomik austriak janë projektet e energjisë së Kosovës dhe këtu kemi biseduar me zotërinë Kërçevën që Forumin Ekonomik të radhës të e mbajmë në Prishtinë”.

Në këtë forum që po mbahet në Austri, janë duke marrë pjesë edhe aktorë politikë dhe ekonomikë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.

Gjithashtu, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë qëndruar në Paris, në Forumin e Paqes, ku janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore