Lajme

‘Gruppe S’, nis gjyqi ndaj grupit gjerman të ekstremit të djathtë për ‘sulme terroriste’


Gjyqi ndaj 11 anëtarëve si të dyshuar, të një grupi të ekstremit të djathtë për “sulme terroriste”, do të nisë seancën të martën e 13 prillit, në qytetin gjerman të Stuttgart-it.

Të dyshuarit, janë të moshës midis 32 dhe 61 vjeç. Ata u arrestuan në shkurt të vitit të kaluar.

Prokurorët thonë se 11 burrat, të gjithë gjermanë, ishin anëtarë të Gruppe S (Grupi S).

Grupi planifikoi sulme ndaj migrantëve, myslimanëve dhe politikanëve, me synimin për të shkaktuar një luftë civile.

Ndërsa një ish-oficer policie, akuzohet se i ka ofruar mbështetje materiale grupit. Ai do të gjykohet gjithashti.

Një tjetër nga grupi është ende i lirë dhe po gjykohet në mungesë.

Për çfarë akuzohen anëtarët e grupit?

Burrat në Gruppe S synonin të “trondisnin dhe përfundimisht të rrëzonin rendin shtetëror dhe shoqëror” në Gjermani, thuhet në aktakuzë.

Werner S, që dyshohet si kryetari i grupit, organizoi një takim fillestar në shtator të vitit 2019. Gjatë muajve pasues të tjerë individë u bashkuan ku mbanin lidhje me telefon dhe bisedonin në internet.

Sipas skedarëve të hetimit të parë nga transmetuesi publik gjerman ZDF dhe gazeta Stuttgarter Nachrichten, Werner S planifikoi të blinte një pushkë sulmi Kalashnikov me 2 mijë fishekë municioni, një automatik Uzi dhe bomba dore. Grupi tashmë kishte 27 armë pa leje, kryesisht pretendohet për pistoleta.

Mediat gjermane raportojnë se autoritetet u njoftuan për aktivitetet e grupit në vjeshtën e vitit 2019 nga një informator.

Ky i fundit është dëshmitari kryesor, i cili është në mbrojtje të rreptë nga policia.

Në shkurt të vitit 2020 policia arrestoi 13 burra në pesë shtete gjermane. Një më vonë vdiq në paraburgim.

U raportua se shumica e anëtarëve të grupit gjithashtu i përkisnin grupeve të tjera të ekstremit të djathtë, duke përfshirë Bruderschaft Deutschland (Vëllazëria Gjermane).

Thorsten W, i cili akuzohet për mbështetjen e grupit, punoi për policinë në shtetin e Nordrhein-Westfalen dhe pretendohet se ofroi 5 mijë euro për të blerë armë për sulmet.

Sulmet e ekstremit të djathtë në Gjermani

Shkurt 2020: Një person racist i armatosur, vret nëntë emigrantë në dy bare në qytetin e Hanau. Policia gjeti personin e armatosur dhe nënën e tij të vrarë në banesën e tij.

Tetor 2019: Një person i armatosur i ekstremit të djathtë përpiqet të sulmojë një sinagogë në qytetin lindor të Halle në festivalin hebre të Yom Kippur. Pasi qëlloi në derën e mbyllur, ai vret një kalimtare femër dhe një burrë në një dyqan qebapësh. Sulmuesi më vonë dënohet me burgim të përjetshëm.

Qershor 2019: Walter Lübcke, një politikan pro-migrant, qëllohet në kokë nga një distancë e afërt në kopshtin e tij. Kjo ishte vrasja e parë politike e ekstremit të djathtë të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Personi i armatosur, i cili filmoi sulmin, u burgos përjetësisht.

Shtator 2018: Gjashtë të dyshuar u arrestuan pasi sulmuan dhe plagosën banorët e huaj në qytetin lindor të Chemnitz-it. Prokurorët thonë se burrat, të cilët themeluan një grup të ekstremit të djathtë të quajtur Revolution Chemnitz, po planifikonin sulme vdekjeprurëse ndaj të huajve, politikanëve dhe nëpunësve të lartë civilë.

Korrik 2018: Beate Zschäpe burgoset përjetë për 10 vrasje me motive raciale të shpërndara në shtatë vjet. Ajo dhe dy neonazistë të tjerë kishin formuar një qelizë terroriste të quajtur National Socialist Underground (NSU)

Korrik 2016: Një 18-vjeçar qëllon për vdekje nëntë njerëz në një qendër tregtare në Mynih para se të vriste veten. Autoritetet bavareze më vonë e klasifikojnë sulmin si “të motivuar politikisht”, duke thënë se adoleshenti kishte “pikëpamje radikale të djathta dhe raciste”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore